Lidhje

Kosovë: Shtyhet gjyqi kundër zotit Albin Kurti


Një gjykatë e drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë në Kosovë shtyu sot për datën 13 prill procesin gjyqësor kundër udhëheqësit të lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe kritikoi ashpër institucionet vendase të drejtësisë.

Mosparaqitja e zotit Kurti në Gjykatë, mungesa e avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare dhe e një anëtari të trupit gjykues nga radhët e gjykatësve vendas, bënë që procesi të shtyhet.

Zyrtarë të EULEX-it thanë se kjo tregon dobësinë e vazhdueshme të institucioneve për sundimin e ligjit, një problem që duhet të zgjidhet, nëse Kosova dëshiron te arrijë standardet evropiane. Ata theksuan se sipas parimeve demokratike çdokush është i barabartë para ligjit dhe çdo person i akuzuar për ndonjë krim ka të drejtën themelore për ta mbrojtur veten në gjykatë.

Veprimtarët e lëvizjes Vetëvendosje ndërkaq thanë se procesi gjyqësor kundër Albin Kurtit është politik dhe këtë e dëshmon sipas tyre edhe qendrimi i gjykatësve të EULEX-it.

Akuzat ndaj zotit Kurti, përfshirë pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepër penale dhe që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave, si edhe për thirrje për rezistencë, lidhen me ngjarjet e 10 shkurtit të vitit 2007 kur dy persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë ndërhyrjes së policisë për të shpërndarë një protestë të lëvizjes Vetëvendosje. //ii

XS
SM
MD
LG