Lidhje

Obama paraqet planin e rishikuar për kujdesin shëndetësor


<!-- IMAGE -->

Presidenti Barak Obama thotë se mirëpret idetë nga opozita republikane si pjesë e planit përfundimtar të rishikuar për kujdesin shëndetësor që ai do ta paraqesë sot. Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati miratuan projektpropozime të veçanta vitin e kaluar. Por ligjvënësit nuk kanë qënë në gjendje që të dalin me një propozim përfundimtar që ta dërgojnë në Shtëpinë e Bardhë për miratim. Legjislacioni i propozuar nga demokratët do të zgjeronte mbulimin me siguracion shëndetësor për rreth 30 milionë amerikanë që nuk kanë siguracione. Republikanët e kundërshtojnë këtë propozim duke thënë se do të thellonte borxhet e vendit. Ata kërkojnë hedhjen poshtë të propozimit demokrat dhe fillim e procesit nga e para. Përmes një letër drejtuar udhëheqësve demokratë dhe republikan në Kongres të martën, presidenti Obama hodhi poshtë kërkesën republikane për fillimin e procesit nga e para. Presidenti amerikan do të ofrojë përmes një deklarate sot, një propozim të rishikuar që mund të përmbajë më shumë ide nga ligjvënësit republikan të opozitës që janë kundër legjislacionit për kujdesin shëndetësor.

Nderkohë që është munduar gjatë vitit të kaluar të miratojë reformën e kujdesit shëndetësor në Kongres, presidenti Obama tani e gjen veten në muajin e tretë të 2010-tës me një opozitë të bashkuar republikane, dhe skepticizëm mes disa anëtarëve të partisë së tij që ka shumicën.
Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati miratuan propjektpropozime të veçanta vitin e kaluar. Por ligjvenësit nuk kanë qenë në gjendje të formulojnë një projektpropozim përfundimtar që ta dërgojnë tek presidenti, i cili përdori një takim të pazakontë të transmetuar drejtpërdrejt në televizion në Shtepinë e Bardhë me ligjvenësit nga të dy partitë javën e kaluar, në përpjekje për të gjetur një gjuhë të përbashkët mbi kujdesin shëndetësor.

Në bazë të propozimit nga demokratët, legjislacioni do të zgjeronte mbulimin për rreth 30 milion amerikan pa siguracion shëndetësor gjatë dhjetë viteve të ardhëshme dhe kërkon që shumica të blejnë siguracion për shëndetin dhe nuk përfshin një program siguracioni të kontrolluar nga shteti që të konkurrojë me siguracionet private.

<!-- IMAGE -->

Duke folur me gazetarët mbrëmë në Washington, zëdhenësi i Shtepisë së Bardhë Robert Gibbs menjanoi detajet rreth ndryshimeve që presidenti mund të propozojë.

Ai tha se presidenti dhe këshilltarët e tij vazhdojnë të punojnë deri në arritjen e vendimit përfundimtar, por ai nuk pranoi të konfirmonte njoftimet e medias se disa propozime kryesore të republikanëve do të jenë pjesë e planit.

Përmes një letre drejtuar udhëheqësve të kongresit dje, presidenti Obama rradhiti katër propozime të favorizuara nga republikanët për të cilat tha se ishte i hapur ti përfshinte në legjislacion. Në të njëjtën kohë, ai e bëri persëri të qartë refuzimin e thirrjes nga republikanët që të hedhë poshtë projektpropozimet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit dhe të fillojë procesin nga e para.

<!-- IMAGE -->

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe udhëheqës të tjerë demokratë po punojnë në strategjinë e tyre, e cila mesa duket do të kërkojë votimin në Dhomën e Përfaqësuesve për të miratuar masën prej 871 miliard dollarësh të aprovuar nga Senati në muajin dhjetor.

Më pas, Senati do të provojë të miratojë një masë tjetër që synon të bëjë masën përgjithësisht të pranueshme nga numri më i madh i ligjvënësve.

Kjo do të bëhet përmes një praktike që kundërshtohet fuqishëm nga republikanët që do të lejonte miratimin me 51 vota në vend të 60 votave të super-shumicës.

Zonja Pelosi u tha gazetarëve mbremjen e së martës se shpreson që presidenti Obama do të ketë sukses në përpjekjet e tij për të thyer opozitën republikane, por tha se ai mbetet i përqendruar në zgjerimin e kujdesit shëndetësor të përballueshëm.

“Është një projektpropozim për kujdes shëndetësor të përballueshëm për të gjithë amerikanët dhe kjo do të na çojë tek votimi i shumicës në Kongres.”

Zëdhënësi i Shtepisë së Bardhë, Gibbs, u tha gazetarëve të hënën se presidenti Obama është i angazhuar për të ecur përpara me reformën e kujdesit shëndetësor.

“Presidenti ka një bindje të fortë se ai u zgjodh për të bërë përparime në çështjet që kishin shqetësuar dhe ngatërruar Kongresin dhe sistemin politik për vite, me kujdesin shëndetësor që është një prej çështjeve më kryesore.”

Kur u pyet të martën rreth kërcenimeve nga republikanët për të krijuar pengesa javore në Senat, nëse demokratët përdorin këtë teknikë proçeduriale, zëdhënësi i Shtepisë së Bardhë tha se republikanët nuk e kanë kuptuar ambjentin politik nëse mendojnë se amerikanët mbështesin atë që ai e quajti, “obstruksionizëm të mëtejshëm dhe lojë politike.”

Zëdhënësi Gibbs tha se presidenti synon të punojë shumë në javët që vijnë për të marrë votat e duhura, përfshi ato të demokratëve skeptikë për të miratuar reformën e kujdesit shëndetësor.

I pyetur nëse deklerata që presidenti që do të mbajë sot do të jetë “akti final” në betejën e gjatë prej më shumë se një viti mbi kujdesin shëndetësor, përgjigja e zotit Gibs ishte pohuese.


XS
SM
MD
LG