Lidhje

Kabineti grek miraton shkurtime të tjera buxhetore


<!-- IMAGE -->

Kabineti grek miratoi shkurtime të tjera buxhetore me vlerë 6.5 miliard dollarë për të pakësuar deficitin e madh të vendit. Masat e reja parashikojnë rritje të taksës së shitjes në masën 2 përqind, ngrirjen e pensioneve dhe shkurtime të tjera pagash për punonjësit e sektorit publik.

Në Athinë, pensionistët u përplasën sot me policinë gjatë rrugës drejt kryeministrisë për të protestuar kundër shkurtimeve të reja që synojnë nxjerrjen e vendit nga një krizë e rëndë financiare.

Protestat vijnë pas paketës së re të shkurtimeve, e cila mes të tjerash parashikon një ngrirje të pensioneve për punonjësit buxhetorë, rritje të taksës së shitjes dhe masa të tjera emergjence.

Kryeministri Jorgos Papandreu informoi sot Presidentin Papulias për masat e reja, që ai tha se janë të domosdoshme.

"Informova presidentin për vendimet e vështira që morëm, të cilat nuk u morën me dëshirë por ishin të nevojshme për mbijetesën e vendit dhe të ekonomisë, në mënyrë që vendi të mund të shpëtojë nga spekulatorët, nga rrëmuja dhe mashtrimet."

Në Bruksel, Presidenti i Komisionit Europian, Zhoze Manuel Barroso tha se kriza e tanishme financiare është më e rëndë se sa mendohej.

“Debati se ç’duhet të bëhet me defitin buxhetor të Greqisë dhe nevoja për të balancuar buxhetet kudo në Bashkimin Europian, është një kujtesë ekstreme se mosmarrëveshjet mes vendeve anëtare ndikojnë mbi gjithë të tjerët. Ne jemi më të ndërvarur se kurrë më parë, prandaj edhe nevoja është më e madhe se asnjëherë për shtimin e koordinimit në nivel europian.”

Greqia ka nevojë të marrë hua për të shlyer borxhin e saj në rritje por kriza financiare i ka shqetësuar bankat të cilat e kanë bërë më të shtrenjtë huanë për Greqinë. Dhe nëse kostoja e kreditit shtrenjtohet së tepërmi, atëhere vendi nuk do të jetë në gjendje të paguajë borxhin.

Kryeministri Papandreu i tha kabinetit se nëse Bashkimi Europian nuk i jep Greqisë mbështetje financiare tani, vendi mund t’i drejtohet Fondit Monetar Ndërkombëtar. //ii

XS
SM
MD
LG