Lidhje

Turqia kërkon nga SHBA të bllokojnë rezolutën për gjenocidin


Turqia paralajmëroi Shtetet e Bashkuara se rezoluta e miratuar nga një komision i Kongresit, që i quan vrasjet masive të armenëve gjenocid, do të dëmtojë marrëdhëniet.

Turqia thirri menjëherë ambasadorin e saj nga Shtetet e Bashkuara, pas miratimit nga një komision i Kongresit amerikan të një rezolute për çështjen në fjalë. Rezoluta që nuk është e detyrueshme për t’u zbatuar thotë se turqit otomanë kryen gjenocid gjatë vrasjes së armenëve në kohën e Luftës së Parë Botërore.

Ministri i jashtëm turk Ahmet Davutoglu tha sot se nuk u takon parlamenteve të vendeve të tjera që të gjykojnë Turqinë. Ai e akuzoi administratën e Presidentit Obama se nuk bëri përpjekje të mjaftueshme për të bllokuar votimin e komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për marrëdhëniet me jashtë. Ministri Davutoglu tha se ai pret që adminstrata amerikane të mos e lejojë rezolutën t’i kalohet Dhomës së Përfaqësuesve për një votim të përgjithshëm.

Turqia është një nga aleatët kryesorë të Shteteve të Bashkuara. Ministri i jashtëm turk tha gjithashtu se votimi do të dëmtojë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Armeninë.

Turqia dhe Armenia nënshkruan protokolle vitin e kaluar për të vendosur marrëdhëniet. Parlamenti i Turqisë nuk e ka ratifikuar ende marrëveshjen. //ii

XS
SM
MD
LG