Lidhje

Presidenti Obama i kërkon Kongresit të miratojë reformën e kujdesit shendetësor


Presidenti Obama i kërkon Kongresit të miratojë reformën e kujdesit shendetësor
Presidenti Obama i kërkon Kongresit të miratojë reformën e kujdesit shendetësor

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio dhe internet, presidenti Obama u kërkoi ligjvenësve që të hedhin votën përfundimtare sa më shpejt lidhur me prioritetin e tij kryesor që ka dominuar debatin publik gjatë gjithë vitit të kaluar.

<!-- IMAGE -->

“E di që ka qënë një rrugë e gjatë dhe e vështirë deri këtu. Dhe rrugëtimi ynë ende nuk ka përfunduar por jemi shumë pranë. Ndaj i kërkoj Kongresit që të përfundojë punën. U kërkoj atyre që tu japin amerikanëve një votë aprovimi apo të kundërtën.”

Republikanët në opozitë kanë lënë të kuptohet se nuk do të mbështesin planin, kështu që zoti Obama mesa duket do të ketë nevojë për votat pro nga e tërë shumica demokrate, dhe jo të gjithë janë dakord me propozimin.

Nderkohë, republikanët përsëri po i bëjnë thirrje presidentit që të fillojë nga e para në legjislacionin për reformimin e kujdesit shëndetësor. Mesazhi javor i republikanëve erdhi nga ligjvënësi Parker Griffith i shtetit të Alabamës, një mjek në pension i cili braktisi Partinë Demokrate kohët e fundit.

“Gjatë 10 ditëve të ardhëshme, demokratët në Uashington do të mundohen të realizojnë kalimin e kujdesit shëndetësor nën kontrollin e shtetit. Kjo do të çojë në rritjen e taksave, zvogëlojë përfitimet mjekësore për njerëzit e varfër dhe shkatërrojë vendet e punës për amerikanët. Ata do të vënë burokratët federal në krye të marrjes së vendimeve mjekësore çfarë duhet bërë nga pacientët dhe mjekët, ndaj kjo duhet ndaluar.”

Presidenti Obama përseri hodhi poshtë kërkesën e republikanëve që të fillohet nga e para dhe tha se është koha të veprohet.

“E dini çfarë, kompanitë e siguracioneve nuk po fillojnë nga e para. Jam takuar me disa prej tyre të enjten dhe nuk mund të më jepnin një përgjigje të drejtë se përse vazhdojnë në mënyrë arbitrare dhe masive të rrisin çmimet deri në 60 përqind në shtete si Illinois. Nëse nuk veprojmë tani, ata do të vazhdojnë të bëjnë këtë.”

Të gjitha vendet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe një e treta e Senatit do të votohet në muajin nentor. Miratimi i rishikimit të kujdesit shëndetësor do tu jepte demokratëve një arritje në politikat e brendëshme mbi të cilën mund të bazojnë fushatën zgjedhore. Po ashtu do të largonte nga agjenda çështjen e kujdesit shëndetësor dhe ti mundësonte presidentit që të përqendrohej në shqetësimin kryesor të votuesve, ekonominë.

Presidenti Obama po ashtu po shpreh nevojën e urgjencës në këtë çështje sepse ai do të largohet me 18 mars në një udhëtim një javor për në Indonezi dhe Australi. Zyrtarët e Shtepisë së Bardhë kanë thënë se presin që reforma për kujdesin shëndetësor të miratohet deri atëherë, dhe se nuk do të ketë nevojë të shtyhet udhëtimi. //kh//

XS
SM
MD
LG