Lidhje

Bashkimi Evropian nënshkruan marrëveshje me Maqedoninë - 2001-04-10


Bashkimi Evropian dhe Maqedonia nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, që shpresohet se do të mund ta stabilizojë këtë republikë ish-jugosllave dhe që një ditë do të lejojë hyrjen e saj në Bashkimin Evropian. Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian në Luxemburg e përshëndetën delegacionin nga Maqedonia. Pas një takimi në mëngjes, delegacioni nga Maqedonia dhe ministrat u mblodhën për ceremoninë e nënshkrimit, e cila u kryesua nga presidentja e tanishme e Bashkimit Evropian Anna Lindh, Ministre e Jashtme e Suedisë. I pranishëm ishte edhe shefi për politikën e jashtëme të Bashkimit, Javier Solana. “Me këtë do të arrihen dy gjëra, thotë zoti Solana, së pari, Maqedonia do të afrohet më shumë me Bashkimin Evropian dhe së dyti kjo do të stabilizojë vendin. Kjo ka rëndësi për ata por edhe për krejt rajonin.” Në projekt konkluzionet e takimit, ministrat e Bashkimit Evropian e përshëndetën pranimin nga Maqedonia të një kalendari veprimi nën sponsorizimin e një komisioni të ri evropian.

”Këshilli e përshëndeti vendimin e qeverisë maqedonase për ngritjen e një komisioni evropian me përfaqësues nga të gjitha palët, i cili do të japë ndihmesë pozitive për rrugën e reformës dhe dialogut, duke garantuar që të gjithë komunitetet etnike ta ndjejnë se kanë interesa politike dhe ekonomike në zhvillimin e vendit”, thuhej në tekst.

Kryeministri i Maqedonisë Ljubço Georgievski tha se “Maqedonia do t’i verë theks të posaçëm forcimit të dialogut dhe përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike si dhe reformave në vend.”

Sipas marrëveshjes, Maqedonia do të përpiqet të harmonizojë ligjet e saj me ato të Bashkimit Evropian dhe do t’i hapë tregjet për vendet e Bashkimit. Nga ana e tij, Bashkimi Evropian do të ndihmojë për forcimin e stabilitetit në Maqedoni.

Ministri i jashtëm maqedonas Srdjan Kerim e përshëndeti nënshkrimin e marrëveshjes. “Kjo është gjithashtu një ditë e rëndësishme për Bashkimin Evropian pasi shënon sukses për një pjesë të politikës së tij ballkanike”, tha Ministri i Jashtëm maqedonas.

Udhëheqësit e Maqedonisë u zotuan që deri në muajin qershor të dalin me plane konkrete reformash për të ndihmuar në uljen e tensioneve me popullatën shqiptare. Në bisedimet me ministrat e jashtëm të Bashkimit, zoti Georgievski deklaroi se do të shpejtohet hapi i reformës politike dhe ekonomike për të evituar përsëritjen e konfliktit të kohëve të fundit me grupet e armatosura që kërkojnë të drejta më të mëdha për popullatën shqiptare.

Por Partia për Prosperitet Demokratik e Shqiptarëve nuk mori pjesë në bisedimet me Bashkimin Evropian. Ministri i jashtëm maqedonas, Srgjan Kerim e minimizoi rëndësinë e bojkotimit nga kjo parti dhe vuri në dukje se partitë e tjera shqiptare ishin të pranishme.

XS
SM
MD
LG