Lidhje

Kalendari historik i datës 9 prill - 2001-04-11


Më 9 prill të vitit 1963, Shtetet e Bashkuara i akorduan titullin Qytetar Nderi kryeministrit britanik gjatë kohës së Luftës së dytë Botërore, Winston Churchill. Në mes të të ftuarve në ceremoninë e zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë ndodheshin ambasadori britanik, përfaqësues të Komonuellthit britanik, djali dhe nipi i ish-kryeministrit dhe miqtë e tij më të vjetër amerikanë. Megjithatë, Winston Churchill, i cili ishte 88 vjeç dhe i dobët fizikisht, nuk morri pjesë në ceremoni. Por ai e ndoqi atë në televizion në shtëpinë e tij në Londër. Presidenti John Kennedy e vlerësoi lart udhëheqësin britanik. “Duke e shpallur Qytetar Nderi, tha presidenti John Kennedy, unë thjesht po propozoj një njohje zyrtare të vendit që ai ka kohë që ka zënë në historinë e lirisë dhe zemrat e amerikanëve dhe britanikëve.” Ish kryeministri Winston Churchill, Qytetar Nderi i Shteteve të Bashkuara, vdiq në janar të vitit 1965 në moshën 99 vjeçare.

Më 9 prill të vitit 1939, Marian Anderson, një soprano zezake, dha një koncert në monumentin e Lincolnit në Washington. Dhjetra mijëra vetë, madje sipas disa llogaritjeve rreth 200 mijë veta, ndoqën shfaqjen me këngë klasike, shpirtërore dhe patriotike. Zonja Anderson kishte planifikuar të jepte shfaqje në sallën e Kushtetutës, por shfaqja u ndalua nga “Bijat e Revolucionit Amerikan”, një organizatë që ishte pronare e godinës ku do të jepej shfaqja. Organizata “Bijat e Revolucionit Amerikan”, pasardhëse të burrave që luftuan kundër Britanisë në luftën për pavarësi të Amerikës, kishin ngulur këmbë se data 9 prill ishte e rezervuar më parë për një shfaqje tjetër. Por shumica besojnë se arsyeja e pengimit të koncertit të zonjës Anderson ishte sepse ajo ishte zezake. E zemëruar nga vendimi i organizatës Zonja e Parë e Amerikës në atë kohë, Eleanor Roosevelt dha dorëheqje nga organizata. Zonja Roosevelt përdori ndikimin e saj që koncerti të jepej të Dielën e Pashkëve në përkujtimoren e Lincolnit më 9 prill, 1939.

XS
SM
MD
LG