Lidhje

Kalendari historik i datës 11 prill - 2001-04-11


Më 11 prill të vitit 1968, presidenti Lyndon Johnson nënshkroi ligjin që u garantonte të gjithë amerikanëve të drejtën e barabartë të strehimit. Sipas këtij ligji, mohimi i të drejtës së strehimit duke u mbështetur në racë apo përkatësi fetare, shikohej si krim federal. “E drejta e strehimit të përshtatshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në këtë vend, është tani pjesë e stilit amerikan të jetesës” - tha presidenti Johnson. Ligji mbi të drejtën e strehimit ishte pjesë e programit federal të presidentit Johnson, që synonte sigurimin e të drejtave civile dhe të shkollimit si edhe uljen e shkallës së varfërisë në Shtetet e Bashkuara.

Më 11 prill të vitit 1947, Jack Roosevelt Robinson luajti për herë të parë në një stadium të ligës profesionale të bejsbollit në qytetin e New Yorkut, duke u bërë kështu afrikano-amerikani i parë që luante në nivelin më të lartë të bejsbollit profesionist në Shtetet e Bashkuara. Jackie Robinson mori pjesë atë ditë në një ndeshje miqësore në stadiumin Ebbet Field, të ekipit Brooklyn Dodgers të New Yorkut. Jacki Robinson ishte sportisti më i talentuar në kolegj, para se të punësohej nga drejtori i klubit Dodgers, Branch Ricky. Robinson dëgjoi këshillën e zotit Ricky që përqeshjeve raciste nga disa lojtarë dhe spektatorë t’u përgjigjej me rezultatet e tij në fushë dhe jo me grushte. “E dija që në një farë mënyre do të isha në qendër të vëmendjes dhe se ndoshta do të më duhej të duroja edhe fyerje të shumta. Isha gjithashtu i vetëdijshëm se ky ishte një shans që më jepej dhe se do të më duhej të bëja ç’ishte e mundur që ta kontrolloja veten” - tha lojtari Robinson. Jackie Robinson pati sukses dhe kështu ai iu hapi dyert edhe shumë sportistëve të tjerë afrikano-amerikanë që të luanin në këtë ligë profesionale, e cila deri atëherë kishte vetëm lojtarë të bardhë. Ai filloi të luante në ligën profesionale në vitin 1947 dhe doli në pension në vitin 1956, për ti kushtuar më shumë kohë veprimtarive afariste, politike dhe atyre për të drejtat civile.

XS
SM
MD
LG