Lidhje

Kalendari historik i datës 24 prill - 2001-04-25


20 vjet më parë, më 24 prill 1981, presidenti Ronald Reagan, hoqi embargon 15 muajshe të grurit që Shtetet e Bashkuara i kishin vënë Bashkimit Sovjetik. Presidenti Reagan e kishte vënë embargon për shitjen e grurit dhe të disa mallrave të tjera, si reagim ndaj pushtimit të Afganistanit prej Bashkimit Sovjetik në dhjetor të vitit 1979. Urdhëri i presidentit Reagan për heqjen e embargos, lejonte gjithashtu shitjen e fosfateve për plehëra kimike, si edhe të mishit e të disa prodhimeve të tjera bujqësore. Megjithatë presidenti Reagan la në fuqi embargo të tjera të vëna nga paraardhësi i tij, duke përfshirë kufizimet në eksportin e prodhimeve të teknologjisë së lartë. Po ashtu zoti Reagan shkurtoi privilegjet e Bashkimit Sovjetik për të peshkuar në ujërat territoriale të Shteteve të Bashkuara. Vendimi për heqjen e embargos së grurit ndaj Bashkimit Sovjetik ishte përmbushja e një premtimi të bërë nga presidenti Reagan gjatë fushatës presidenciale, gjatë të cilës ai kishte thënë se embargoja ishte një barrë e padrejtë për fermerët amerikanë.

Më 24 prill 1877, trupat e fundit federale të vendosura në jug u larguan nga New Orleans, në shtetin Louisiana. Kjo shënonte fundin e një epoke të quajtur Epoka e Rindërtimit, e cila kishte filluar pas Luftës Civile. Forcat e Unionit filluan pushtimin e Jugut të mundur, menjëherë pas dorëzimit të forcave të Konfederatës, në prill 1865. Trupat federale bënë që të zbatoheshin me forcë kodet e Rindërtimit, miratuar nga republikanët radikalë në kongres. Këta republikanë që ishin kundër skllavërisë donin të dënonin shtetet e Jugut për përpjekjet e tyre për t’u shkëputur nga Bashkimi dhe për të ruajtur skllavërinë. Ligjet e Rindërtimit u jepnin ish komandantëve ushtarakë të Unionit autoritet thuajse të pakufizuar për të caktuar dhe hequr zyrtarë të organeve të pushtetit shtetëror dhe lokal. Jugorët i akuzuan shumicën e zyrtarëve të Rindërtimit se po pasuroheshin vetë dhe se po vinin në organe të pushtetit ish-skllevër zezakë të pakualifikuar. Ndjenjat e hidhura të periudhës pas luftës civile, vihen re akoma në disa vende të jugut amerikan.

XS
SM
MD
LG