Lidhje

Dispozita e posaçme e emigracionit skadon të hënën në mesnatë - 2001-04-27


Disa imigrantë të paligjshëm që ndodhen në Shtetet e Bashkuara, kanë afat deri të hënën në mesnatë, pra deri në mesnatën e 30 prillit, që të bëjnë lutje për status të ligjshëm. Kjo dispozitë e përkohëshme është bërë shkak që shumë prej këtyre immigrantëve të kërkojnë leje martese. Ndërkohë janë shtuar rastet kur këta immigrantë bien pre e mashtrimeve të ndryshme.

Deri ditën e hënë në mesnatë, imigrantët pa dokumenta, bashkëshortët apo prindërit e të cilëve janë shtetas amerikanë apo kanë statusin e banorit të përhershëm në Shtetet e Bashkuara, mund të bëjnë lutje për status të ligjshëm. Këto lutje po pranohen si rrjedhim i hyrjes përkohësisht në fuqi të një ligji për imigracionin, dispozita 245-i.

Që nga dhjetori, kur ligji hyri në fuqi, vetëm në zyrën e imigracionit të Chicagos janë paraqitur më shumë se 5 mijë lutje nga imigrantë pa dokumente që kërkojnë të bëhen banorë të ligjshëm. Por drejtori i zyrës së Chicagos, Brian Perryman, thotë se afrimi i afatit për paraqitjen e lutjeve është shoqëruar me një rritje të rasteve të imigrantëve që bien viktima të mashtrimit.

“Shumë të ashtuquajtur këshilltarë të imigracionit, thotë zoti Perryman, po përfitojnë nga ky ligj i ri dhe i ndërlikuar për të mashtruar imigrantët pa dokumente, duke u kërkuar pagesa të larta dhe në disa raste duke nxitur individë të ndryshëm të bëjnë lutje edhe nëse ata nuk i plotësojnë kushtet.”

Në një rast, një çift nga Chicagoja i pagoi një këshilltari më shumë se dy mijë dollarë qa ta ndihmonte në përgatitjen e lutjeve. Por, për shkak të gabimeve në përgatitjen e dokumenteve, ky çift tani mund të dëbohet fare nga Shtetet e Bashkuara.

Shërbimi i Imigracionit dhe zyrtarë të shoqatës së konsumatorëve në Çikago kanë hapur një linjë të posaçme telefonike për raportimin e rasteve të tilla të mashtrimit. Vetëm gjatë muajit prill janë paraqitur 90 ankesa. Suzanne Franklin e Shoqatës Hebraike të Imigrimit po në Çikago thotë se imigrantët pa dokumente bien shumë lehtë pre e mashtruesve.

Karen Popovski e Shoqatës Polako Amerikane, e akredituar si agjenci ndihmëse në çështjet e imigrimit, thotë se shumë imigrantë të paligjshëm bien viktima për shkak të gjendjes së tyre të dëshpruar. “Njerëzit janë gati të paguajnë për të dëgjuar atë që dëshirojnë të dëgjojnë. Ata mund të jenë paraqitur në zyrat tona ose të ndonjë agjencie tjetër të specializuar të akredituar dhe u është thënë se ata nuk i plotësojnë kushtet. Prandaj shpesh ata përpiqen të gjejnë dikë që t’u thotë se i plotësojnë kushtet duke i paguar atij shuma të mëdha”, thotë karen Popovski.

Afrimi i afatit do të thotë edhe rradhë të gjata në zyrat e lutjeve për leje martese si në Chicago edhe qytete të tjera në gjithë vendin. Zyrtarët e Chicagos thonë se numri i lejeve për martesë të lëshuara gjatë muajit mars ishte 50 prëqind më i lartë se gjatë marsit të vitit të kaluar. Edhe në qytetin e Nju Jorkut zyrtarët thonë se numri i lutjeve për leje martese dhe i ceremonive të martesave ishte dy herë më i madh se vitin e kaluar gjatë së njëjtës periudhë.

XS
SM
MD
LG