Lidhje

Kalendari historik i datës 29 prill - 2001-04-30


Më 29 prill 1945, njësi të Armatës së Tretë të Shteteve të Bashkuara, të komanduara nga gjenerali amerikan, George Patton, çliruan kampin famëkeq nazist të Dakaut, në afërsi të qytetit Mynih. Amerikanët zbuluan rreth 30 mijë të burgosur të uritur e të sëmurë dhe kufoma të panumërta pas gardhit të telave me gjëmba. Më 1933, Dakau u bë kampi i parë i përqëndrimit, i krijuar nga qeveria e Gjermanisë naziste, për të mbajtur të burgosurit politikë. Më vonë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai u bë një kamp skllevërish dhe një qendër kërkimesh shkencore ku mjekë nazistë kanë bërë eksperimente të frikshme me qindra të burgosur. Dakau ishte një pjesë e rëndësishme e makinës shfarrosëse naziste. Aty humbën jetën mbi 10 milionë njerëz, ndërmjet të cilëve 6 milionë hebrej evropianë. Vetëm mbërritja e trupave amerikane i pengoi nazistët që drejtonin Dakaun, të vrisnin të burgosurit e tjerë.

Më 29 prill 1962, presidenti John Kennedy dhe bashkëshortja e tij dhanë në Shtëpinë e Bardhë një banket për disa shkrimtarë, pedagogë dhe shkencëtarë të shquar amerikanë. Ndërmjet të ftuarve ishin 49 fitues të çmimit Nobel. Presidenti Kennedy e përshkroi këtë ngjarje si përqendrimin më të madh të talentit dhe gjenialitetit në Shtëpinë e Bardhë, me përjashtim mbase, të rastit kur Thomas Jeffersoni hante darkë vetëm. Vërejtja e zotit Kennedy është përmendur disa herë gjatë dekadave. Thomas Jeffersoni ishte autori i Deklaratës së Pavarësisë, një shkencëtar i përkryer, arkitekt, pedagog, muzikant e diplomat dhe presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara. Jeffersoni konsiderohet si një nga mendjet më të ndritura në historinë amerikane.

XS
SM
MD
LG