Lidhje

Përhapja e islamizmit në Shtetet e Bashkuara - 2001-04-30


Nga një studim i ri del se islamizmi po rritet me shpejtësi në Shtetet e Bashkuara. Në studimin e përgatitur nga Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-islamike, thuhet se tani ka të paktën 8 milionë myslimanë në Shtetet e Bashkuara. Numri i xhamive është rreth një mijë e 500, pra 25 përqind më i madh në krahasim me mesin e viteve 1990. Autori kryesor i studimit, Ihsan Bagby, thotë se rritja e shpejtë e islamizmit në Shtetet e Bashkuara ka lidhje me kthimin në fenë islame të dhjetëra mijëra njerëzve çdo vit, me imigracionin nga vendet islamike dhe me shkallën e lartë të lindjeve. Shumica e atyre që kthehen në fenë islame janë afrikano-amerikanë, që e shohin shpesh islamizmin si një mjet për të zëvendësuar shpërbërjen e familjes.

Zoti Bagby thotë se studimi tregon se ndjekësit e islamizmit gjithnjë e më shumë duan ta përdorin identitetin e grupit të tyre fetar, si bazë për shprehje politike. “Studimi tregon që xhamia është dhe do të jetë edhe në të ardhmen, një trampolinë për integrimin e myslimanëve në shoqërinë amerikane. 61 përqind e të gjithë drejtuesve të xhamive thanë se vitin e kaluar i kishin shkruar ose telefonuar një politikani. 70 përqind thanë se u kishin shkruar ose telefonuar mjeteve të informimit, të paktën një herë gjatë vitit të kaluar” - thotë zoti Bagby.

Megjithatë myslimanët në Shtetet e Bashkuara nuk kanë udhëheqës politikë që të bëjnë për vete masat. Disa myslimanë popullorë janë kryesisht atletë, si për shembull basketbollisti Hakeem Olajuwon, boksieri pensionist, Muhammad Ali apo kampioni botëror i ngritjes së peshave të rënda, Hasim Rahman. Shumica e myslimanëve në Shtetet e Bashkuara nuk janë afrikano-amerikanë, apo nga Lindja e Mesme, siç mendohet zakonisht, por nga Azia Jugore.

Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2000, shumë grupe të njohura myslimane, sikurse Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-islamike, me seli në Uashington, votuan për George Bushin, të tërhequr nga disa prej politikave të tij konservatore.

Megjithatë një veprimtar islamik në rajonin e Uashington DC-së, Hodari Abdul-Ali, thotë se ka dallime ndërmjet myslimanëve imigrantë që kërkojnë të kenë një zë politik dhe myslimanëve afrikano-amerikanë, të cilët nëpërmjet islamizmit duan të arrijnë krysisht përparimin social.

“Do të thoshja se ka mospërputhje mendimesh në radhët e komunitetit mysliman amerikan. Ndërsa shumica e myslimanëve të ardhur si imigrantë mund të kenë votuar për George Bushin, nuk mendoj aspak që kjo të pasqyrojë ndjenjat e myslimanëve afrikano-amerikanë. Përsa i përket pyetjes se përse kaq shumë afrikano-amerikanë kanë pranuar islamizmin, do të thoshja se kjo është rezultat i pakënaqësisë sonë me shoqërinë dhe qeverinë amerikane dhe i dëshirës sonë për të gëzuar të drejtat themelore të njeriut. Po ashtu ne na frymëzuar shëmbulli i Malkolm X, i Muhammad Aliut dhe i Elijah Muhammad dhe i të tjerëve si këta, që e ngritën zërin dhe folën me guxim për lirinë” - thotë zoti Abdul Ali.

Udhëheqësi radikal zezak, Elijah Muhammad themeloi lëvizjen Kombi i Islamit, e cila e ka humbur rëndësinë nën udhëheqjen e klerikut, Louis Farrakhan. Megjithatë zoti Farrakhan është udhëheqësi politik mysliman më i njohur për amerikanët. Charles Haynes, punonjës shkencor pranë grupit të studimeve politike të Uashingtonit, Qendra e Amendamentit të Parë, thotë se veç divergjencave që kanë, myslimanët në Shtetet e Bashkuara përndiqen dhe janë pre e paragjykimeve.

“Mendoj se ka një keqkuptim të thellë përsa i përket islamizmit në Shtetet e Bashkuara. Fëmijët nuk mësojnë shumë për të në shkolla dhe shpesh herë ato që u mësojnë janë të gabuara. Mjetet e informimit vazhdojnë t’i paraqesin myslimanët si njerëz që kanë lidhje me terrorizmin. Ka pak të dhëna apo shpjegime që japin një ide të drejtë dhe të balancuar për islamizmin. Për mendimin tim në këtë vend ka paragjykime dhe tipizime bajate kur është fjala për myslimanët” - thotë zoti Haynes.

Zoti Haynes shton se myslimanët që mbajnë perçe në kokë kur janë në punë vihen në lojë, ose u thonë se nuk mund t’i mbajnë ato. Për shumë amerikanë feja islame u mohon grave të drejta të barabarta me burrat. Njoftimet e mjeteve amerikane të informimit rreth vendeve të tilla islamike si Irani apo Afganistani, shpesh herë e vënë theksin tek keqtrajtimet që u bëhen grave në këto vende. Por shumë organizata myslimane, duke përfshirë edhe Lidhjen e Grave Myslimane në Shtetet e Bashkuara, thonë se diskriminimi gjinor është më tepër tradhëti sesa pasqyrim i frymës së vërtetë të islamizmit.

XS
SM
MD
LG