Lidhje

Intervistë me Ali Ahmetin, përfaqësues i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare - 2001-05-03


VOA: Zoti Ahmeti, si do ta vlerësonit gjendjen në këto momente në Maqedoni.

ALI AHMETI: Sot janë zhvilluar luftime shumë të ashpra, janë granatuar disa fshatra të rrethit të Kumanovës. Komanda e brigadës 113 Ismet Jashari i ka marr të gjitha masat për të mbrojtur popullësinë civile e cila është duke u strehuar nëpër bodrume dhe vendstrehime të ngritura nga komanda e brigadës. Të gjitha forcat tona janë në pozicione dhe po luftojnë në vetmbrojtje që forcat qeveritare të mos mund të depërtojnë, eventualisht të kryejnë ndonjë masakër mbi popullatën civile.

VOA: Zoti Ahmeti, a ndjeni ndonjë përgjegjësi ju si ushtri çlirimtare kombëtare se pas vrasjeve të ushtarëve ditën e shtunë dhe incidenteve të sotme Maqedonia po rrëshqet drejt luftës.

ALI AHMETI: Maqedonia, forcat qeveritare, gjithmonë kanë marrë masa në drejtim të zhdukjes së ushtrisë çlirimtare kombëtare. Ne mendojmë që të gjitha këto masa që merren nuk i shërbejnë stabilitetit, nuk i shërbejnë paqes, nuk i shërbejnë demokracisë. Ne kemi kërkuar dhe kërkojmë të ulemi në bisedime. Ftojmë zotin Trajkovski të përdor autoritetin e tij tek organet qeveritare që të ulen gjakrat dhe sa më shpejt të ulemi në bisedime. Kemi qenë dhe jemi të gatshëm të shpallim armëpushim por jo armëpushim të njëanshëm të cilin e keqpërdorën forcat qeveritare, por armëpushim të konfirmuar nga të dyja palët sepse vetëm kështu mund ti shërbejmë paqes, mund ti shërbejmë njerëzimit, mund ti shërbejmë të dy popujve tanë.

VOA: Zoti Ahmeti, qeveria maqedonase e mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar, nuk ka pranuar përfshirjen e përfaqësuesve të ushtrisë çlirimtare kombëtare në bisedime. A do të ishit ju të gatshëm të pranonit një ndërmjetës që tu përfaqësonte ju në këto negociata, përshëmbull ndonjë nga partitë ekzistuese politike shqiptare?

ALI AHMETI: Ne mendojmë që garanti i vetëm që këto bisedime të jenë të mbara dhe populli shqiptar në Maqedoni tu besojë këtyre negociatave, është vetëm pjesmarrja e ushtrisë çlirimtare kombëtare.

VOA: Po partitë, çfarë roli mund të luajnë partitë legjitime shqiptare që veprojnë në Maqedoni, që shikohen si legjitime nga pala maqedonase. Çfarë roli mund të luajnë ato për të ulur tensionin?

ALI AHMETI: Mendojmë që partitë shqiptare legale që veprojnë në Maqedoni mund të luajnë një rol ndihmues në këto negociata si dhe për situatën në përgjithësi që po zhvillohet në Maqedoni dhe njëkohosisht që këto parti të gjejnë mbështetje të plotë në drejtim të zgjidhjes së problemeve.

VOA: Zoti Ahmeti duke marrë parasysh zhvillimet e ditëve të fundit, a keni ndonjë shpresë që do mund të arrihet një zgjidhje paqësore.

ALI AHMETI: Ne mendojmë që zgjidhje ka, mirëpo në radhë të parë duhet të ulen tensionet dhe mekanizmat ndërkombëtar duhet të përdorin autoritetin e tyre që autoritetet qeveritare të Maqedonisë ti ulë në tavolinë.

VOA: Zoti Ahmeti, shumë faleminderit.

XS
SM
MD
LG