Lidhje

Intervistë me drejtorin e zyrës për çështje të Evropës Juglindore - 2001-05-04


VOA: Zoti Countryman, kryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta sapo përfundoi një vizitë në Uashington gjatë së cilës u takua me personalitetet më të larta amerikane. Si e shikoni përmbajtjen e vizitës së zotit Meta?

Countryman: Mendoj se kjo vizitë pasqyroi para së gjithash marrëdhëniet e mira dypalëshe ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe lidhjet e mira që ekzistojnë ndërmjet popullit amerikan dhe popullit shqiptar. Kryeministri shqiptar pati takime të rëndësishme në Shtëpinë e Bardhë me presidentin dhe nënpresidentin. Ai pati një takim shumë të përzemërt me Sekretarin e Shtetit, Colin Powell. Sekretari Powell mbeti shumë i kënaqur nga interesimi i kryeministrit për këto çështje dhe nga mënyra se si Shqipëria është e përgatitur për të reaguar ndaj tyre. Sekretari Powell mirëpriti sidomos dënimin nga ana e qeverisë shqiptare të dhunës së ekstremistëve në rajon, si edhe mbështetjen e dialogut ndëretnik brenda Maqedonisë. Sekretari theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri, si një pikë kthese e vërtetë që do të përcaktojë në se Shqipëria do të ecë përpara drejt Evropës, drejt institucioneve transatlantike, apo do të mbetet mbrapa. Ai e inkurajoi kryeministrin që të shkallëzojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pra ne mendojmë se ishte një vizitë e shkëlqyer dhe jemi shumë të kënaqur prej saj.

VOA: Më 24 qershor në Shqipëri do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Cili është mesazhi juaj për këto zgjedhje dhe përse ka rëndësi që ato të jenë zgjedhje të pastra?

Countryman: Është shumë e rëndësishme që zgjedhjet në Shqipëri të jenë të ndershme. Ky është një rast që u jepet shqiptarëve për të zhvilluar zgjedhjet më të lira, më të drejta, deri më sot. Dhe është e rëndësishme që shqiptarët të mos e lënë t’u shpëtojë ky rast. Kështu, me pak fjalë mesazhi që Uashingtoni do të donte t’i dërgojë çdo shqiptari është që të marrë pjesë në jetën politike, të bashkëpunojë me punonjësit e qendrave të votimit, për t’u siguruar që figuron në listat e votimit, pra që nuk i është mohuar e drejta për të votuar dhe që ditën e votimit të shkojë e të votojë për kandidatin që pëlqen. Gjatë gjithë historisë së këtyre dhjetë vjetëve të fundit, sa herë që një parti ose një grup ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhje, kjo ka qenë një humbje për demokracinë. Ne nuk preferojmë ndonjë kandidat në këto zgjedhje dhe nuk do të marrim anën e ndonjë partie. Ne presim që zgjedhjet të jenë të ndershme, pjesëmarrja në to e lartë dhe që populli shqiptar të bashkëpunojë me qeverinë që do të dalë prej këtyre zgjedhjeve.

VOA: Korrupsioni në Shqipëri ka marrë përmasa të mëdha duke kërcënuar seriozisht zhvillimin normal të vendit. Si shpjegohet që megjithë ndihmën e shteteve perëndimore, në luftën kundër korrupsionit nuk janë arritur rezultatet e dëshiruara?

Countryman: Është një gjendje e dhimbshme e cila duhet marrë më seriozisht, në se Shqipëria dëshiron të ecë drejt Evropës. Por Shqipëria nuk është i vetmi vend në rajon që ndeshet me këto probleme. Ne mendojmë se është bërë njëfarë përparimi, por nuk jemi plotësisht të kënaqur, dhe mendojmë se as qeveria dhe as populli shqiptar nuk duhet të jenë të kënaqur. I takon qeverisë ta bëjë këtë punë, por i takon edhe popullit shqiptar ta bëjë të qartë, jo vetëm nëpërmjet zgjedhjeve por edhe gjatë jetës së përditshme, që nuk do ta tolerojnë një gjë të tillë. Unë nuk mund të përmend ndonjë arsye të veçantë për të shpjeguar se përse nuk është bërë më shumë përparim. Ajo që ne kërkojmë është një përpjekje e vendosur nga ana e qeverisë dhe një bashkëpunim sa më i mirë përmes kufijve ndërmjet të gjitha qeverive të rajonit.

VOA: Ditët e fundit, dhuna në Maqedoni është shtuar. A mendoni se kjo është shenjë e dështimit të dialogut midis dy palëve i cili ende nuk ka filluar me të vërtetë?

Countryman: Mendoj se dialogu akoma nuk ka përfunduar. Ai ka dhënë rezultat dhe është në rrugë të mbarë dhe ne po përpiqemi ta inkurajojmë këtë ecuri. Ajo që na shqetëson është dhuna, e cila kryhet nga një numër shumë i vogël njerëzish, që nuk paraqesin as interesat e maqedonasve as të shqiptarëve. Nga kush përbëhet e ashtuquajtura Ushtria Clirimtare Kombëtare? Nga një numër i vogël njerëzish idealistë, që mund të mendojnë se luftojnë për të drejta të barabarta. Por në të bëjnë pjesë edhe shumë kriminelë, kontrabandistë, mercenarë profesionistë dhe politikanë të dështuar. Njerëz që në një proces demokratik nuk mund të kenë sukses për t’u bërë udhëheqës, apo që kërkojnë të bëhen udhëheqës politikë nëpërmjet një procesi dhune. Më duhet të them se ne jemi edhe më të shqetësuar nga veprimet e ndërmarra dje në mëngjes nga e ashtuquajtura Ushtri Clirmtare Kombëtare, për të kapur disa fshatra, të banuara kryesisht nga shqiptarë të Maqedonisë, në veri të Kumanovës, për të ngritur barrikada nëpër rrugë, dhe për të organizuar sulme kundër forcave maqedonase të sigurimit dhe për të mos i lejuar civilët që jetojnë në këto fshatra të largohen nga rajoni. Këto taktika na kujtojnë taktikat që Millosheviçi udhëzonte serbët të përdornin në Krajinë dhe në Bosnje. Këto janë taktika të nacionalistëve, të cilët përdorin dhunën për të pushtuar territore dhe për të shfrytëzuar civilët. Ushtria Clirimtare Kombëtare nuk bën gjë tjetër veçse vë në rrezik me paramendim civilët shqiptarë. Kjo është pjesë e strategjisë së saj dhe është çnjerëzore. Ne do të vazhdojmë t’i bëjmë trysni qeverisë maqedonase që të tregohet sa më e përmbajtur që të mundet, kur t’u kundërpërgjigjet taktikave të tilla të ulta. Në rast se atje do të ketë dhunë përgjegjësia do të bjerë mbi UÇK-në dhe për vdekjet e civilëve shqiptarë përgjegjëse do të jetë po UÇK-ja. Në përshëndesim të gjitha partitë politike në Maqedoni që marrin pjesë në dialog. Për këtë duhet kompromis dhe kurajo dhe ne i shohim këto cilësi tek udhëheqësit e këtyre partive në Maqedoni, tek presidenti Trajkovski, tek zoti Xhaferi, tek zoti Cervenkovski dhe zoti Georgievski. Ne kemi besim se ata mund t’ia arrijnë qëllimit. Por ata duhet të punojnë më shumë dhe unë mendoj se ata e dinë këtë.

XS
SM
MD
LG