Lidhje

Kryeministri Meta me anëtarë të kongresit amerikan - 2001-05-04


Grupi i çështjeve shqiptare në Kongresin amerikan që përbëhet nga 4 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, dy demokratë dhe dy republikanë, i dha dje një mesazh të qartë delegacionit nga Shqipëria të kryesuar nga kryeministri Ilir Meta. Ligjvënësit bënë thirrje që zgjedhjet e ardhëshme parlamentare të jenë të ndershme, pasi kjo është mënyra e vetme që komuniteti ndërkombëtar të mund ta ndihmojë Shqipërinë.

Anëtari demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve Eliot Engel, i cili kryeson grupin e çështjeve shqiptare, tha se qëllimi është që elektorati shqiptar të shprehë dëshirat e tij të vërteta në këto zgjedhje. "Unë përcolla mesazhin se duhen bërë përpjekje që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të drejta, që nëse pas zgjedhjeve shtrohen pyetje të çfarëdo lloji, ne të jemi në gjendje të themi se zgjedhjet ishin të lira e të drejta. Dëshira jonë është që populli shqiptar të mund të shprehë dëshirat e tij të vërteta, që komisionet e zgjedhjeve dhe vetë zhvillimi i zgjedhjeve të bëhet në mënyrë të drejtë. Kryeministri Meta na siguroi se kështu do të ndodhë, prandaj ne nuk na mbetet tjetër veçse t’i vëzhgojmë zgjedhjet për tu siguruar se ato do të jetë të lira e të hapura dhe se do të pasqyrojnë vullnetin e popullit shqiptar” tha zoti Engel.

Anëtarja republikane e grupit të çështjeve shqiptare, Sue Kelly tha se vetëm duke organizuar zgjedhje të ndershme, Shqipëria do të jetë e aftë të hyjë në komuniteytin botëror. “Për ne që përpiqemi të ndihmojmë Shqipërinë është jashtëzakonishte e rëndësishme që të kemi mundësi t’i themi komunitetit ndërkombëtar se këto zgjedhje ishin me të vërtetë të pastra dhe të ndershme. Në rast se komuniteti ndërkombëtar do të mund të shohë zgjedhje vërtet të ndershme në Shqipëri, atëhere kjo do të jetë provë se Shqipëria do të jetë e gatshme të bashkohet me komunitetin botëror” tha zonja Kelly.

Grupi i çështjeve shqiptare mori sigurime nga kryeministri Meta se qeveria e tij do të përpiqet që zgjedhjet e 24 qershorit të jenë të lira e të drejta.

XS
SM
MD
LG