Çmimet e benzinës në mbarë Amerikën gjatë 2 javëve të fundit të prillit u ngritën me 13 cent për gallon. Analisti i industrisë, Trilby Lundberg na njeh me çmimet më të fundit të benzinës. “Çmimi mesatar i benzinës në Shtetet e Bashkuara është 1 dollar e 72 cent. Çmimet shkojnë nga 2 dollarë e 2 cent në San Francisco deri në 1 dollar e 46 cent në Atlanta të shtetit Georgia”, thotë analisti.
Shumica e vëzhguesve thonë se ngritja e çmimeve të benzinës është rezultat i raportit të ofertës dhe kërkesës, që do të thotë se në Shtetet e Bashkuara po shtohet konsumi, por nuk po shtohet kapaciteti i rafinimit të naftës. Disa vëzhgues janë të mendimit se këtë verë çmimi i benzinës mund të arrijë në 3 dollarë për gallon. Trilby Lundberg thotë: “Çmimet e benzinës tani e kanë kaluar me 4 cent rekordin, që u arrit qershorin e kaluar. Por duke patur parasysh inflacionin, çmimet janë 1 dollar më të ulta se sa në mars të vitit 1981”.
Megjithatë, ky fakt nuk po i pengon amerikanët, madje edhe disa politikanë,që po paguajnë shumë për ngarjen e makinës. Por një studim i ri mbi çmimet e benzinës në botë, i botuar nga firma konsulente në Wisconson, Runz-heimer International, bën disa krahasime interesante. Terry Stockham, i cili organizoi anketën, thotë se çmimet e benzinës në Shtetet e Bashkuara hyjnë në të ashtuquajturën kategori jo të shtrenjtë. “Në se shikojmë çmimet në Kanadanë fqinje, mesatarja e çmimit të benzinës është 3 dollarë e 40 centë për një gallon. Pra çmimet e benzinës në Shtetet e Bashkuara janë relativisht të ulëta”, thotë zoti Stockham.
Në se amerikanët po paguajnë çmime të ulëta, kush po goditet më rëndë? Terry Stockham thotë se ngarësit e makinës në Hong Kong po paguajnë 5 dollarë e 33 centë për një gallon. “Edhe disa qytete në Evropë paguajnë çmime të larta për bensinën. Në Londër, 4 dollarë e 34 centë; në Oslo të Norvegjisë 4 dollarë e 23 centë dhe natyrisht në Tokio benzina është gjithnjë e shtrenjtë, 4 dollarë e 20 centë”, thotë zoti Stockham.
Po ku mund të gjehet benzina më e lirë? Në Karakas të Venezuelës një gallon benzinë kushton 39 centë, në Xhakartë të Indonezisë 47 centë për gallon dhe në Quito të Ekuadorit 50 centë. Arsyeja e dukshme kryesore e ndryshimit të çmimeve të benzinës është se vendet eksportuese të naftës paguajnë më pak dhe vendet konsumatore paguajnë më shumë. Një faktor tjetër është filozofia politike e një vendi. Disa qeveri vendosin taksa të larta për karburantin e makinave si një mënyrë për të mbajtur të ulët numrin e makinave nëpër rrugë, duke pakësuar trafikun e dëndur dhe ndotjen e mjedisit. Çmimi prej 5 dollarë për gallon do ta bënte një person të mendohej mirë para se të nisej për një udhëtim argëtues me makinë.
1 gallon = 3, 8 litra