Lidhje

Reformat ekonomike në Jugosllavi - 2001-05-10


Reformat e shumëpritura ekonomike në Jugosllavi janë vënë në rrezik nga mosmarrëveshja lidhur me fatin e ish presidentit Sllobodan Millosheviç, i cili kërkohet nga gjykata ndërkombëtare e Hagës për krimet e luftës. Jugosllavët kishin shpresuar që një konferencë e vendeve dhuruese në Bruksel në muajin qershor do të rezultonte në premtime për një miliardë dollarë ndihma gjatë një periudhe 3 vjeçare. Këto para do të vinin nga Fondi Monetar Ndërkombëtar e Banka Botërore, nga huadhënës të ndryshëm e qeveri perëndimore. Gjithashtu do të arriheshin marrëveshje për rifinancimin e borxheve të Jugosllavisë gjatë periudhës komuniste. Kjo konferencë, do të shënonte ri hyrjen e Jugosllavisë në sistemin botëror financiar, pas një izolimi 10 vjeçar.

Por një gjë e tillë mund të mos ndodhë si rrjedhojë e këmbënguljes amerikane që Beogradi së pari të zotohet për dorëzimin e Millosheviçit në gjykatën e Hagës. Ish presidenti jugosllav u arrestua në prill dhe po mbahet në burgun qëndror të Beogradit. Por presidenti Vojisllav Koshtunica këmbëngul që zoti Millosheviç të gjykohet në Serbi para se të dërgohet në Hagë. Tani zotit Koshtunica po i bëhet trysni që të caktojë një datë për ekstradimin e ish udhëheqësit jugosllav.

Analisti për çështje të Ballkanit, James Millar pranë universitetit George Washington thotë se është gabim që zotit Koshtunica t’i bëhen kërkesa të tilla. “Leva më e mirë që ne kemi nuk është paraja, por fakti që zoti Koshtunica dhe Serbia kërkon të bashkohet me Evropën. Dhe ne duhet t’u japim atyre kohë për ta bërë këtë gjë. Mendoj se nëse e përdorim këtë levën me më shumë forcë ajo mund të thyhet. Koshtunica nuk mund të shihet si një kukull e Shteteteve të Bashkuara dhe ai nuk dëshiron të bëhet dhe nuk ka për t’u bërë i tillë”, thotë analisti.

Presidenti i Bankës Botërore, James Wolfensohn u takua me zotin Koshtunica të martën në New York ku presidenti jugosllav u nderua me çmim nga një organizatë jo qeveritare. Disa organizata për të Drejtat e Njeriut po i kërkojnë me këmbëngulje Bankës Botërore që ta shtyjnë mbajtjen e konferencës së vendeve dhuruese.

Zyrtari i lartë i Bankës Botërore që merret me Jugosllavinë, Christian Poortman, thotë se data e saktë për mbajtjen e konferencës ende nuk është caktuar. Konferenca mund ose mund të mos zhvillohet në qershor, thotë ai, por një gjë është e sigurt që Jugosllavia ka nevojë për ndihma. “Ekzistojnë nevoja financiare në një sërë fushash dhe importet bazë janë të nevojshme për rigjallërimin e ekonomisë, gjithashtu nevojiten edhe ndihma të drejtpërdrejta financiare për buxhetin dhe pagesat”’ thotë zyrtari i Bankës Botërore.

Qeveria e re demokratike në Serbi erdhi në pushtet mëse 3 muaj më parë. Me përjashtim të liberalizimit të çmimeve, pak hapa janë hedhur në fushën e reformave të ekonomisë së tregut. Zyrtarët e financave thonë se me dhënien e ndihmave nga ana e vendeve dhuruese, vetë konferenca do të shënonte fillimin e reformave ekonomike afatgjate në Jugosllavi.

XS
SM
MD
LG