Lidhje

Opinioni publik për dënimet me vdekje - 2001-05-11


Anketat e fundit të opinionit publik tregojnë se 75 deri 80 për qind e amerikanëve mbështesin ekzekutimin e autorit të sulmit me bombë në qytetin Oklahoma, Timothy McVeigh. Veprimtarët që mbështesin dënimin me vdekje këmbëngulin se ekzekutimi i tij do të shtojë përkrahjen e publikut për dënimin kapital. Por grupet që kundërshtojnë dënimin me vdekje po punojnë me intensitet për t’iu kundërvënë kësaj pikëpamjeje: Përkrahësit e dënimit me vdekje po i ndjekin me kënaqësi rezultatet e anketave të fundit të opinionit publik, sipas të cilave ekzekutimit i Timothy McVeight përkrahet edhe nga disa persona që zakonisht e kundërshtojnë dënimin me vdekje. Kent Scheidegger është anëtar i Fondacionit Ligjor të Drejtësisë Kriminale, thotë se rasti i Timothy McVeight është një shembull i qartë i nevojës për dënimin me vdekje. Çdo dënim tjetër përveç dënimit me vdekje do të ishte një farsë gjyqësore, thotë ai.

Por kundërshtarët e dënimit me vdekje nuk po dorëzohen. Përkundrazi, ata janë të gëzuar që rasti i Timothy McVeight e ka rigjallëruar debatin mbi dënimin me vdekje. Richard Dieter është drejtori ekzekutiv i Qendrës për Informim mbi Dënimin me Vdekje me qendër në Washington. “Nuk mendoj se ky rast shihet si një përkrahje e fuqishme për dënimin me vdekje. Faktikisht, kjo nxjerr në pah një problem rrënjësor të dënimit me vdekje -- ky dënim shtrembëron të gjithë procesin duke e vënë gjithë theksin tek një person i vetëm”, thotë zoti Dieter.

Shumë anketa tregojnë se përkrahja e publikut për dënimin me vdekje ka rënë vitet e fundit, nga 77 për qind pesë vjet më parë në 63 për qind aktualisht. Ajamu Baraka kryeson një program kundër dënimit me vdekje në kuadër të organizatës Amnesty International. Ai parashikon se rasti i McVeight nuk do të ndikojë shumë në ndryshimin e debatit aktual. “Nuk do të na dëmtojë aq shumë sa ç’mendojnë disa. Ne besojmë se në këtë drejtim do të ketë përparim të vazhdueshëm. Ndoshta ky është një qëndrim optimist, por në punën tonë duhet të jesh optimist”, thotë zoti Baraka.

Pedagogia e Universitetit Indiana, Marla Sandys, ka studiuar opinionin publik lidhur me dënimin me vdekje gjatë 15 viteve të fundit. Ajo thotë se rasti i McVeight mund të sjellë si rezultat një rritje afat-shkurtër të përkrahjes së publikut për dënimin me vdekje, por kjo nuk do të zgjasë shumë, mendon ajo. “Në se paraqitet një rast tjetër i një personi të pafajshëm, të cilit i kushtohet vëmendje e madhe nga mjetet e informimit, do të vërejmë se publiku do të fillojë përsëri të kundërshtojë dënimin me vdekje. Pra në aspektin afat-gjatë ky ekzekutim nuk do të ketë një ndikim të madh”, thotë zonja Sandys.

XS
SM
MD
LG