Lidhje

Kalendari historik i datës 15 maj - 2001-05-15


Më 15 maj të vitit 1972, guvernatori i shtetit të Alabamës, Xhorxh Uollës, u qëllua dhe u plagos rëndë, ndërkohë që po zhvillonte fushatë në shtetin e Merilendit si kandidat për president i Shteteve të Bashkuara. Guvernatori Uollës u plagos ndërsa po takohej me njerëzit e mbledhur për fjalimin që ai sapo kishte përfunduar. Për ironi, tema e fjalimit të tij lidhej me krimin dhe atë që ai e pati quajtur si mungesë respekti në rritje për shtetin juridik. Xhorxh Uollës tha se ekzistonte një komplot për të vrarë policët në Shtetet e Bashkuara. Atentatori, i cili mund të kishte qenë edhe vrasësi i tij, Arthur Bremer, u arrestua, gjykua dhe u shpall fajtor për vrasje në tentative. Ai vazhdon të jetë në burg. Xhorxh Uollës u paralizua përgjithmonë nga mesi e poshtë. Ai shërbeu katër mandate si guvernator i Alabamës, duke dalë në pension në vitin 1987 me shëndet të rënë. Ai vdiq më 13 shtator të vitit 1998 në moshën 79-vjeçare. Më 15 maj të vitit 1972 Shtetet e Bashkuara i kthyen zyrtarisht Japonisë ishujt Okinava dhe Riukiu pas 27 vjet qeverisjeje amerikane. Shtetet e Bashkuara i morën ishujt gjatë betejës tremuajshe me Japoninë në Luftën e Dytë Botërore. Nënpresidenti Spiro Agnju përfaqësoi presidentin Riçard Nikson në ceremoninë për rikthimin e ishujve Tokios. Zoti Agnju tha se kthimi i këtyre ishujve Japonisë zgjidhi dhe çështjen e fundit të luftës ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë. Kryeministri japonez Eisaku Sato shprehu vlerësimin e thellë për kthimin e grupit të ishujve, të cilat ndodhen ndërmjet Japonisë dhe Taivanit. Udhëheqësit në Okinava e hodhën poshtë ftesën për të marrë pjesë në ceremoni. Ata po protestonin kundër një klauzole të veçantë të traktatit e cila lejonte Shtetet e Bashkuara të mbanin një bazë ushtarake në ishull dhe Japoninë të ngrinte një bazë ushtarake të sajën atje.

XS
SM
MD
LG