Lidhje

Intervistë me komandantin e UÇK Gëzim Ostreni - 2001-05-16


VOA: Zoti Ostreni, cili është reagimi i UÇK-së pas krijimit të qeverisë së re të Maqedonisë dhe thirrjes që dëgjuam sot që qeveria i bën grupeve tuaja për t’u tërhequr deri të enjten?

OSTRENI: UÇK është formuar nga djemtë e popullit shqiptar në Maqedoni. Kërkesat e saj, siç e dini i mbështet tërë populli shqiptar, por po ashtu edhe ndërkombëtar. Nëqoftëse e vëreni prononcimin e kryeministrit Lubço Gjeorgjevski para parlamentit, atëhere është e qartë se qeveria e koalicionit është formuar dhe një nga detyrat kryesore ka izolimin dhe zhdukjen e UÇK-së. Ky është një koalicion mes palëve që nuk janë në konflikt mes vetit. Partitë politike është dashur dhe kanë pasur kohë që t’i zgjidhin problemet të cilat ekzistojnë në shtetin e Maqedonisë dhe me këtë të kontriubuojnë për evitimin e luftës...

VOA: Zoti Ostreni, si do t’i përgjigjeni ultimatumit të qeverisë?

OSTRENI: Po ne do të qëndrojmë në pozicione. Nëqoftëse qeveria fillon një operacion të ri për zhdukjen e UÇK-së, dihet se atëhere do të jemi të provokuar dhe do t’i vazhdojmë luftimet.

VOA: Zoti Ostreni, ju thoni se kërkoni të drejta të barabarta për shqiptarët, të drejta siç ekzistojnë në vendet demokratike për pakicat. Por rruga që ndiqni ju nuk ka asgjë të përbashkët me demokracinë, sipas kritikëve tuaj. Pas vëmendjes që tërhoqët me rrugën e armëve përse nuk i lini tani politikanët e zgjedhur shqiptarë që të merren me ankesat e popullsisë shqiptare në Maqedoni?

OSTRENI: Është e qartë, se prej vitit 1945 dhe sidomos që nga viti 1991, shqiptarët kanë bërë përpjekje, e kanë ndjekë rrugëne zgjidhjes së problemeve në kuadrin e sistemit, bile edhe këto parti politike që tash funksionojnë, janë rezulatat i asaj përpjekjeje. Por gjithmonë, kur ata kanë bërë përpjekje përmes të parashtrimit të problemeve duke u tubuar, shqiptarët në kërkesat e tyre, shteti ka përdorur gjithmonë dhunën dhe ja, për 10 vjet ata nuk kanë patur mundësi që këto probleme t’i zgjidhin, në këtë mënyrë u imponua presioni me përdorimin e forcës. VOA: Zoti Ostreni, qeveria e Maqedonisë që në fillim ka pohuar se konflikti në Maqedoni është importuar nga Kosova. A nuk e provon këtë edhe qenia juaj si Shef i Shtabit të UÇK-së, këtë lidhje midis Kosovës dhe konfliktit në Maqedoni, duke marrë parasysh që ju keni qenë në Kosovë deri kohët e fundit.

OSTRENI: Po, unë kam qenë në Kosovë dhe jam pjesëmarrës i luftës në Kosovë, ku merrte pjesë e tërë bota. Kjo nuk ma merr mua të drejtën të marr pjesë edhe në luftën në vendin tim. Ju e dini se unë jam nga Dibra, jam shqiptar i Maqedonisë dhe kur populli im është në luftë, unë e kam vendin pranë tyre.

VOA: Zoti Ostreni, çfarë strategjie do të ndjekë UÇK-ja në ditët, ose javët e ardhëshme?

OSTRENI: Po kjo do të varet nga masat që do të marrë pushteti dhe forcat ushtarako-policore të tij në Maqedoni.

XS
SM
MD
LG