Lidhje

Maqedoni: Zgjatet afati për dorëzimin e grupeve të armatosura - 2001-05-17


Presidenti i Maqedonisë njoftoi se do ta zgjasë afatin që u ka vënë grupeve të armatosura shqiptare për të lëshuar armët. Ky vendim u bë i ditur nga qeveria sot në Shkup. Ndërkohë një zëdhënës i ushtrisë tha se trupat qeveritare u sulmuan gjatë natës në afërsi të fshatrave që kontrollohen nga luftëtarët shqiptarë në veri të vendit. Gazetarët njoftojnë se kanë vënë re shtimin e postblloqeve dhe patrullave ushtarake, por nuk ka shenja të një përqëndrimi të madh të forcave ushtarake. Gjatë ditëve të fundit njoftimet kanë bërë të ditur për luftime sporadike ndërmjet trupave qeveritare dhe luftëtarëve shqiptarë.

Në fjalimin e tij, presidenti Trajkovski tha se nuk ka nevojë për dhunë dhe se ka ardhur koha që guerriljet të heqin dorë nga lufta e tyre e armatosur. Ai tha se gjetja e një zgjidhjeje paqesore për kërkesat e popullsisë shqiptare në Maqedoni do të kërkojë durim dhe gatishmëri për kompromis. Një delegacion i Bashkimit Evropian i kryesuar nga Ministrja e Jashtme suedeze, Anna Lindh ndodhej dje në Maqedoni për të gjetur mënyra për ti dhënë fund luftimeve, të cilat, siç mendojnë disa, mund të bëhen shkak për një luftë më të gjerë ballkanike.

XS
SM
MD
LG