Lidhje

Intervistë me ambasadorin e OSBE-së në Maqedoni - 2001-05-17


Krijimi i koalicionit 4-partiak, thotë zoti Frowick, krijon një rrugëdalje për zgjidhjen e krizës në Maqedoni. Ai theksoi punën e madhe që ka bërë komuniteti ndërkombëtar për të bindur palët e përfshira për nevojën e një zgjidhjeje të tillë. Përfaqësuesit ndërkombëtarë, qofshin nga Shtetet e Bashkuara, vendet kryesore të Evropës Perëndimore, OSBE-së, shpjegon zëdhënësi i OCBE-së për Maqedoninë, zhvilluan kontakte të shumta me Partinë për Prosperitet Demokratik, e cila, në pritje të stabilizimit të gjendjes nuk po angazhohej në gjetjen e një rrugëdaljeje.

“Mendoj se si rrjedhojë e këtyre kontakteve ata e kuptuan se është në interes të shqiptarëve të Maqedonisë, që ata përfaqësojnë, të bien dakort për një qeveri koalicioni e cila do të jetë në gjendje të marrë vendime lidhur me reforma që duhen zbatuar, sesa të vazhdonin ta kundërshtonin këtë proces, në një kohë që UÇK-ja vazhdonte luftimet me ushtrinë maqedonase, gjë që nuk mund të kishte rezultate të mira”, tha zoti Frowick. Ai vuri në dukje se të gjitha palët e përfshira në këtë çështje e kuptojnë nevojën e gjetjes së një rrugëdalje për të gjitha çështjet që shqiptarët kanë ngritur, përfshirë edhe çështjen e kushtetutës. Ai shpreh optimizëm lidhur me gjasat për ndryshime, por, ai paralajmëron se do të duhet kohë për të arritur në atë pikë.

Një tjetër çështje që duhet trajtuar pa vonesë, thekson zëdhënësi i OSBE-së për Maqedoninë, është ndalimi i veprimeve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare: “Pas bisedimeve të 4 majit me Naton, Bashkimin Evropian dhe OSBE-në, unë, tha zoti Frowick, fillova të ushtroj trysni për tërheqjen e UÇK-së. Gjatë javës së kaluar ka pasur diskutime intensive lidhur me alternativat për t’u dhënë fund luftimeve dhe për të mundësuar tërheqjen e UÇK-së. Trajtimi i aspketit ushtarak të krizës ka qenë shumë i rëndësishëm, dhe është zhvilluar paralel me punën e zotit Solana në aspektin politik për organizimin e këtij koalicioni qeveritar. Këto dy aspkete janë jetike në rikthimin e qëndrueshmërisë në vend si dhe për krijimin e një baze mbi të cilën të zhvillohet një dialog politk i efektshëm”.

Zoti Frowick mendon se ka vend për optimizëm, por ai thekson se nuk duhet të krijohen iluzione. UÇK-ja, thekson ai, nuk është shpërbërë ende dhe vazhdon të bëjë komente të ashpra. Aktualisht po ushtrohet një trysni e madhe për t’i detyruar luftëtarët e UÇK-së të heqin dorë nga veprimet e tyre.

XS
SM
MD
LG