Lidhje

Libër me kujtime i gjeneralit Klark për fushatën kundër Jugosllavisë - 2001-05-21


Doli në qarkullim libri me kujtime i gjeneralit në pension, Wesley Clark, me titull “Të zhvillosh luftë moderne”. Ish komandanti i forcave të Natos në Evropë shkruan në kujtimet e tij se Pentagoni vazhdimisht ka penguar planifikimet ushtarake të aleancës gjatë fushatës së bombardimit kundër Jugosllavisë.

Gjenerali shkruan se Pentagoni iu kundërvu propozimit të tij në vitin 1988 për të paralajmëruar presidentin jugosllav të asaj kohe, Sllobodan Millosheviç, se Natoja mund të ndërhynte, po qe se ai do të shtypte popullatën shqiptare të Kosovës.

Në librin e tij të kujtimeve, gjenerali Clark tregon se Pentagoni tregohej i ngadalshëm në miratimin e disa objektivave, kur, një vit më pas, filloi fushata e bombardimit. Ai thotë gjithashtu se Pentagoni kundërshtonte planet për një luftë të mundshme me trupa tokësore. Libri paraqet pikëpamjet e tij lidhur me planifikimin dhe realizimin e fushatës 77-ditore të Natos.

Ish komandanti i Natos, Wesley Klark, bëri para disa ditësh këtu në Washington prezantimin e librit të tij të ri “Lufta Moderne: Bosnja, Kosova dhe Betejat e së Ardhmes”. “Kur e përfundova isha nën tension të madh. Pasi gjeneralët nuk shkruajnë libra të tillë”, tha gjenerali Klark.

Libri është një përpjekje e sinqertë për të sqaruar opinion për fushatën e Natos në Kosovë, operacioni i parë ushtarak i aleancës që nga krijimi. Dhe në këtë përpjekje pa dyshim ai ka nxjerrë edhe diskutime të brendshme që mund të kenë prekur zyrtarë të caktuar të asaj kohe. Gjatë luftës, kujton gjenerali, tensioni ishte i madh. Ai pati probleme me Pentagonin dhe siç tregon ai në libër, sekretari i mbrojtjes William Cohen u përpoq të pengonte ardhjen e tij në Washington për festimet e 50 vjetorit të Natos. Gjenerali Klark ishte nga ata që kërkuan mbajtjen e një qëndrimi të ashpër ndaj Beogradit dhe kur fushata ajrore ende nuk dihej në se do të kishte sukses apo jo, ai kërkoi fillimin e përgatitjeve për ndërhyrje tokësore. Në këtë kuadër u dërguan në Shqipëri helikopterët modernë Apache, por që kurrë nuk u përdorën. Megjithëse lufta ka dy vjet që ka përfunduar gjenerali edhe sot nuk e fsheh dot nervozizmin për mospërdorimin e helikopterëve Apache. “A mund të jepja unë garanci se nuk do të kishim humbur asnjë helikopter? JO. Por pyetja e parë që m’u bë për këta helikopterë ishte: Wes sa humbje do të kemi? Me lejoni t’u them se kjo nuk është një pyetje neutrale. Ai që shqetësohet për humbjet, nuk shqetësohet për përfundimin e misionit. Pyetja e parë që duhej bërë ishte: Çfarë ndihmese japin këta helikopterë për misionin?”, tha gjenerali Klark.

Fitorja kryesore e Natos në Kosovë, shton gjenerali nuk ishte në fushë betejë, por ishte ruajtja e aleancës së Natos. Sot forcat e Natos janë kritikuar se nuk kanë bërë sa duhet për mbrojtjen e banorëve serbë që janë larguar nga Kosova ose për të frenuar grupet e armatosura shqiptare që vepronin në Preshëve dhe sot në Maqedoni. Një pjesë e kritikëve thonë se në se statusi i Kosovës do të ishte zgjidhur, ndoshta këto dy konflikte të shqiptarëve në rajon nuk do të kishin egzistuar. Por për statusin e Kosovës ka disa pengesa thotë gjenerali Klark.

“Sipas rezolutës së Këshillit të Sigurimit që i dha fund fushatës ajrore, ne në një farë mënyre u angazhuam që Kosovën ta shihnim si pjesë të Jugosllavisë. Pra egziston një pengesë ligjore për të organizuar një referendum dhe për të vendosur siç dëshirojnë banorët. Por po ashtu ka edhe shumë pengesa politike. Ne duhet të respektojmë të drejtat e çdo qytetari në Kosovë. Atje duhet të krijohet një sistem demokratik. Ky është një proces që unë do e quaja “ecje drejt statusit përfundimtar”. Dhe në fund të këtij procesi nuk mund të përjashtojmë asnjë alterantivë, përfshirë këtu edhe pavarësinë”, tha gjenerali Klark.

Ajo që po rrezikon sot përsëri Ballkanin është gjendja në Maqedoni, lufta e UÇK-së kundër forcave maqedonase. Sipas ish komandantit të Natos, aleanca përsëri duhet të veprojë. “Sot ka ardhur koha që Natoja të veprojë përsëri. Gjendja është keqësuar ndjeshëm në Maqedoni. Artileria dhe helikopterët nuk mund të zgjidhin një problem që është kryesisht politik. Por unë ju garantoj se në interes të Ballkanit, Natoja mund ta zbusë dhe kufizojë problemin për ta bërë atë të zgjidhshëm politikisht. Koha është tani. Ne kemi trupat e Natos në Maqedoni. Mund të na duhen nja dy batalione shtesë. Forcat e Natos duhet të mbyllin kufirin dhe t’i japin garanci qeverisë së Maqedonisë se vendi i tyre nuk do të ndahet dhe nuk do t’i bashkohet Kosovës. Do të mbesë një vend me stabilitet për të lejuar ndryshimin e ligjeve dhe të kushtetutës për të mbrojtur të drejtat e gjithë banorëve. Ky është një kontribut i rëndësishëm që Shtetet e Bashkuara mund të japin. Por ky vendim nuk mund të merret pa rolin udhëheqës amerikan”, tha zoti Klark.

Por që Amerika të luajë rol udhëheqës, ajo duhet të shkëputet nga mentaliteti i Luftës së Vietnamit. Kjo luftë që nuk u fitua ende jehon e freskët për shumë amerikanë, që atëhere ishin të rinj dhe sot janë në poste vendim-marrëse. Ky është edhe synimi i librit të fundit të gjeneralit Klark: ç’mësime duhen nxjerrë nga lufta në Kosovë, që zyrtarisht nuk u quajt asnjëherë luftë.

XS
SM
MD
LG