Lidhje

Ekonomia jugosllave - 2001-05-23


Drejtuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar mendojnë se qeveria jugosllave e pas periudhës së Millosheviçit ka bërë punë të mirë në zbatimin e programeve që vënë themelet për rritjen ekonomike. Detyra është e madhe. Dhjetë vjet izolim dhe mospërfillje, krahas fushatës ajrore të Natos në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës, dy vjet më parë, i kanë kushtuar ekonomisë së Serbisë miliarda dollarë.

Emmanuel Zervoudakis, zyrtari i FMN-së përgjegjës për drejtimin e politikës ndaj Jugosllavisë, thotë se shkalla e inflacionit është e ulët, ndërkohë që ritmi i rritjes ekonomike po merr vrull.

“Inflacioni do të ulët ndjeshëm gjatë këtij viti. Pritet që deri nga fundi i vitit inflacioni të zbresë në 35 apo 30 përqind. Sipas statistikave të fundit, rritja ekonomike vitin e kaluar ishte rreth 5 përqind dhe ka të ngjarë që të vazhdojë me atë ritëm edhe gjatë këtij viti” thotë zoti Zervoudakis.

Analistët thonë se përparimi i ditëve të para duhet të pasohet me veprime agresive për pastrimin e një sistemi bankar të korruptuar dhe të falimentuar dhe për privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore. Dhuruesit ndërkombëtarë kanë në plan të takohen në Bruksel më 29 qershor, ku pritet të premtohet një ndihmë prej një miliard e 200 milionë dollarësh për Jugosllavinë. Qeveria serbe shpreson ta shfrytëzojë takimin e Brukselit si pikënisje për reforma të gjithanshme që do të mbështetën nga ndihma konkrete ndërkombëtare. Të gjithë dhuruesit kryesorë, Banka Botërore, bankat shumpalëshe për zhvillim dhe vendet perëndimore po përgatisin programe ndihmash të konsiderueshme për Jugosllavinë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar është i vetëdijshëm se marrëdhëniet e acaruara dhe të pasigurta midis Serbisë dhe Malit të Zi e ndërlikojnë punën e tij. Mali i Zi, i cili mund të votojë apo jo për pavarësi, ngul këmbë se ekonomikisht është i ndarë nga Serbia dhe përdor vetëm markën gjermane si njësi të tij monetare.

Premtimi për vërshimin e ndihmës së madhe financiare për rindërtimin e Serbisë është shqetësues për vendet e tjera ballkanike që janë mësuar tani të mbështetën në ndihmën e jashtme. Ato shqetësohen se ndihma e përgjithshme për to do të zvoglohet. Mirëpo, Sam Vaknin, një këshilltar për çështje financiare në Shkup, thotë se ndihma e jashtme po bën më shumë dëm se sa dobi në rajonin e Ballkanit.

“Asnjë sasi parash, as një milard dollarë, as dy dhe as katër miliard dollarë, shumë kjo që i nevojiten Serbisë për të ringjallur infrastrukturën e saj, nuk do të mund të gjallërojë një treg të qendrueshëm mallrash e sherbimesh në Serbi. Vetëm transferimet e parave nga punëtorët serbë në vendet e Bashkimit Evropian, një treg i hapur për mallrat dhe sherbimet serbe dhe integrimi i menjëhershëm dhe i efektshëm i Serbisë në zonën evropiane të tregtisë mund të zgjidhin problemet e saj ekonomike” thotë zoti Vaknin. Ai shton se në vend që të shtojë ndihmat, Bashkimi Evropian duhet të hapë kufijt e tij për punëtorët dhe mallrat nga vendet ballkanike.

Paga mesatare në Serbi ende nuk ka kapërcyer nivelin e 70 dollarëve në muaj që ishte zhytur gjatë periudhës së Millosehviçit. Mirëpo me një rritje ekonomike prej 5 përqind që pritet të realizohet këtë vit dhe shpresat për një rritje edhe më të madhe gjatë vitit të ardhshëm, ditë më të mira mund të parashihen, të paktën në horizont.

XS
SM
MD
LG