Lidhje

Kalendari historik i datës 25 maj - 2001-05-25


Dyzet vjet më parë, më 25 maj të vitit 1961, presidenti John Kennedy i kërkoi Kongresit të Shteteve të Bashkuara të angazhohej në dërgimin deri në vitin 1970 të amerikanit të parë në Hënë. Presidenti Kennedy tha se ky projekt do të fuqizonte së tepërmi përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen, për ndërtimin e ekonomisë së vendit dhe promovimin e imazhit të Shteteve të Bashkuara në mbarë botën. “Kam besimin se mbarë kombi duhet t’i përkushtohet arritjes së synimit, për dërgimin e njeriut të parë në Hënë para përfundimit të kësaj dekade, dhe kthimin e tij shëndoshë e mirë në Tokë. Nuk ka asnjë projekt tjetër të hapësirës në këtë periudhë, i cili të jetë më madhor dhe më i rëndësishëm për eksplorimin në afat të gjatë të hapësirës dhe në të njëjtën kohë, nuk ka asnjë projekt tjetër po kaq të vështirë dhe të shtrenjtë. Por duhet theksuar fakti se, nuk do të jetë një njeri i vetëm që do të shkojë në hënë, por i gjithë kombi amerikan” tha presidenti.

Më 25 maj të vitit 1855, Kongresi miratoi blerjen e 100 gamiljeve për ushtrinë e Shteteve të Bashkuara. Sekretari i Luftës, Jefferson Davis, besonte se gamiljet do të ishin të dobishme për të transportuar ngarkesa dhe postën nëpër shkretëtirën e rajonit jugperëndimor të Shteteve të Bashkuara. Sekretari Davis i tha Kongresit se një gamilje e shëndetëshme me një gungë do të transportonte 270 kilogram ngarkesë rreth 50 kilometra në ditë. Megjithëse gamiljet mund të transportonin ngarkesa më të rënda se mushkat në klimën e vështirë të shkretëtirës, ushtria e braktisi këtë eksperiment, duke menduar se kujdestarët e kafshëve nuk do të mësoheshin me sjelljen e çuditshme të këtyre krijesave me gungë. Disa prej gamiljeve iu shitën kopshteve zoologjike dhe individëve, disa u vranë dhe disa të tjera u lëshuan ose ikën nëpër pyje. Disa vjet pasi ushtria e la këtë projekt, u tha se gamilje të egra vërtiteshin në shkretësitën jugperëndimore të Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG