Lidhje

Kanceri i lëkurës - 2001-05-25


Një studim i ri i kryer nga akademia amerikane e dermatologjisë nxjerr në pah se melanoma - apo nishanet malinj me pigmente të errëta që dalin në lëkurë - janë tre herë më të përhapura nga rradhët e meshkujve 40-vjeçar se në rradhët e grup moshave të tjera.

Doktor Ronald Wheeland, kryetar i akademisë amerikane të dermatologjisë, udhëhoqi grupin që kreu studimin. Ai arriti në përfundim se meshkujt duhet kontrollohen nga dermatologu një herë në vit dhe se një herë në muaj ata duhet të shikojnë nëse kanë njolla të reja në lëkurën e tyre që mund të jenë melanoma: “Melanomat kanë aftësi të depërtojnë më thellë nën lëkurë, dhe pas depërtimit ato mund të futen nëpër vena të holla të gjakut dhe të zgjerohen në gjithë trupin. Për këtë arsye në Shtetet e Bashkuara vetëm brenda këtij viti nga gjithsej 51 mijë njerëz të diagnostifikuar me melanoma, 7 mijë e 800 do të vdesin” thotë mjeku. Rreth 64 përqind e këtyre viktimave janë meshkuj të moshës mbi 40 vjeçar. Dr.Wheeland thotë se ka disa arsye pse meshkujt janë më të ndjeshëm nga melanomave se sa femrat. “Nga rradhët e 50 vjeçarëve, meshkujt kanë punuar më shumë nën qiellin e hapur se sa femërat. Një arsye tjetër është karakteristike për vet meshkujt. Meshkujt në krahasim me femërat në përgjithësi nuk kujdesen për veten aq shumë” thotë mjeku. Dr.Wheeland thekson se më të rrezikuarit janë meshkujt që kanë edhe anëtarë tjerë të familjes me melanoma apo ata që kanë një numër të madh të nishaneve nëpër trup. Doktor Wheeland thotë se meshkujt me ngjyrë fytyre më të errët janë më pak të goditur nga melanomat sepse pigmentet në lëkurën e tyre sigurojnë një lloj mbrojtjeje natyrore. Sidoqoftë, ai thotë se askush nuk është i imunizuar ndaj melanomave. Dr.Wheeland thotë se njerëzit duhet të dijnë si t’i identifikojnë nishanet që mund të jenë malinje dhe t’i heqin ato sa ma parë që të jetë e mundur. “Ekzistojnë pesë karakteristika bazë që njerëzit duhe t’i marrin parasysh. Këto karakteristika përfshijnë simetrinë e nishaneve, do të thotë nëse ato ndahen përgjysëm dhe nuk janë simetrike atëherë kjo është shqetësuese. Karakteristika e dytë është forma, do të thotë nëse forma e nishaneve nuk është e rregulltë. Tjetër është ngjyra e nishaneve. Nëse ato kanë ndonjë njollë ngjyrë të kuqe, ngjyrë kafe apo të zezë dhe ngjyra e tyre ndryshon atëherë kjo është brengosëse. Karakteristika e katërt është diametri i nishaneve. Poqëse janë më të mëdha se 6 milimetra në diametër, këto nishane shumë më lehtë mund të shndërrohen në melanoma se sa ato me diametër më të vogël. Dhe karakteristika e fundit është zmadhimi i nishaneve. Nëse në fillim ato janë të vogëla dhe ndërkohë rriten atëherë kjo është një arsye tjetër për t’u brengosur” shpjegon mjeku. Dr.Ronald Wheeland thotë se njerëzit mund të zvogëlojnë rrezikun nga sëmundja e kancerit të lëkurës nëse ata mbrohen nga rrezet e forta të diellit. Ai është i mendimit që njerëzit të përdorin më shumë kapele dhe këmisha me mëngë të gjata si dhe kremra mbrojtëse.

XS
SM
MD
LG