Lidhje

UÇK tërhiqet nga Vaksinca - 2001-05-25


Grupet e armatosura shqiptare të njohura me emrin Ushtria Çlirimtare Kombëtare thanë sot se kanë marr urdhër që të tërhiqen nga fshati Vaksincë dhe pritet që të tërhiqen edhe nga fshati Llojan. Njëri nga komandantët e UÇK-së i njohur me emrin komandant Sokoli konfirmoi për Zërin e Amerikës se UÇK ishte tërhequr nga Vaksinca pasi kishte lajmëruar popullësinë civile që të largohej nga fshati sepse siç tha ai rrezikoheshin shumë nga granatimet dhe sulmet e forcave qeveritare.

Ndërkohë autoritetet e Shkupit thonë se luftëtarët shqiptarë nga Vaksinca u zbrapsën pas ofensivës së trupave qeveritare. Trupat qeveritare po vazhdojnë ofensivën kundër luftëtarëve shqiptar në malësinë e Kumanovës duke përdorur mjete të blinduara, artilerinë e rëndë dhe helikopterë ushtarak. Fshatrat e komunës së Likovës janë në qëndër të sulmeve dhe ka njoftime për zhvendosje të mëdha të popullësisë civile veçanërisht nga Vaksinca dhe Llojani.

Rreth 2000 banorë janë zhvendosur nga kjo zonë për në Luginën e Preshevës ndërkohë që të tjerë janë larguar drejt Kumanovës. Ende nuk mund të konfirmohet numri i saktë i civilëve të vrarë dhe të plagosur. Luftimet e ashpra në terren që prej ditës së djeshme po vazhdojnë të shoqërohen me zhvillime politike dhe diplomatike po aq intensive në Shkup ku nuk kursehen akuzat nga palët e përfshira në to. Dy partitë më të mëdha shqiptare në Maqedoni nuk kanë pranuar të heqin dorë nga marrëveshja e nënshkuar me përfaqësuesin politik të UÇK-së Ali Ahmetin, megjithë presionin e madh ndërkombëtar dhe kërkesën e komunitetit ndërkombëtar që ata ta lënë mënjanë atë marrëveshje.

Partia për Prosperitet Demokratik pritet të vazhdojë përsëri nesër diskutimet brenda saj lidhur me pjesëmarrjen e saj në qeverinë e re të koalicionit e cila u vu në rrezik të shpërbërjes pas publikimit të marrëveshjes së arritur midis dy politikanëve të lartë shqiptarë në Maqedoni dhe përfaqësuesit politik të UÇK-së. Zëdhënësi i kësaj partie, Zahir Bekteshi i tha Zërit të Amerikës se partia e tij nuk do të lejojë që të jetë pjesmarrëse në dhunën në terren. Lidhur me pjesëmarrjen ose daljen e PPD-së nga qeveria, zoti Bekteshi tha se të gjitha opsionet mbeten të hapura. Pritet që të ketë përsëri bisedime intensive ndërkohë që pritet ardhja në Shkup e komisionerit të lartë evropian, Havier Solana.

XS
SM
MD
LG