Lidhje

Çështjet e zbulimit amerikan - 2001-05-29


Sipas ligjit të vitit 1947 për sigurimin kombëtar, drejtorit të shërbimit qëndror amerikan të zbulimit iu ngarkua detyra të kryesonte gjithë veprimtaritë e zbulimit të qeverisë amerikane. Në këtë grupim përfshihet agjencia qëndrore e zbulimit, pra CIA, e cila përqëndrohet në aspektet e jashtme, dhe mbi dhjetë agjenci të tjera zbulimi të ngritura pranë departamenteve të ndryshme të qeverisë, si departamenti i mbrojtjes dhe ai i thesarit. William Webster, drejtori i shërbimit të zbulimit nga viti 1981 deri më 1991, thotë se sfidat që u dalin para agjencive amerikane të zbulimit mund të ndryshojnë, por misioni mbetet i njëjtë: “Misioni i tyre është shumë i thjeshtë, të sigurohet informacion i sigurt, i dobishëm dhe në kohë të duhur, në të cilën mund të mbështetën hartuesit e politikës për të marrë vendime të përshtatshme”, thotë zoti Webster.

James Woosley, shefi i shërbimit amerikan të zbulimit nga viti 1993 deri më 1995, e mbron këtë mision edhe më me forcë: “Një nga përgjegjësitë e veçanta e të përhershme të shërbimit të zbulimit është vjedhja e sekreteve, pra vjedhja e sekreteve nga njerëz që përpiqen të fshehin gjëra, për të cilat vendi jonë ka nevojë. Kjo përgjegjësi nuk ka kohë të caktuar, është e përhershme”, theksoi zoti Woosley.

Pjesa më e madhe e veprimtarisë së shërbimit amerikan të zbulimit gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë ishte e përqendruar ndaj ish Bashkimit Sovjetik. Presidenti i tanishëm, George W. Bush, ka nënshkruar një dekret për një shqyrtim të gjithanshëm të agjencive amerikane të zbulimit dhe rolit të tyre në shoqërinë e sotme.

Stansfield Turner ka shërbyer si drejtor i shërbimit amerikan të zbulimit nga viti 1977 deri më 1981, në administratën e presidentit Carter. Ai thotë se përqendrimi në Luftën e Ftohtë mjegulloi funksionin themelor të agjencive të ngarkuara me mbledhjen e informacionit të jashtëm për të përcaktuar pasojat që zhvillimet në vendet e tjera do të kenë për Shtetet e Bashkuara: “Sigurisht që natyra e këtyre zhvillimeve ka ndryshuar me përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe tani ne duhet të gjejmë mekanizma zbulimi për probleme të reja që mund të dalin në horizont”. thotë zoti Turner.

Disa analistë të sigurimit mendojnë se bota ka ndryshuar aq shumë me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe shfaqjen e terrorizmit saqë sistemi i shërbimit amerikan të zbulimit ka nevojë për një riorganizim rrënjësor. John Deutch, i cili shërbente si nën-sekretar i mbrojtjes derisa presidenti Klinton e emëroi në postin e kreut të shërbimit qëndror të zbulimit në vitin 1995, thotë se dallimet midis mbledhjes së të dhënave të fshehta brenda dhe jashtë vendit, të përcaktuara në vitin 1947, pengojnë komunitetin e zbulimit në përpjekjet për të përballuar sfidat e reja e të ndërlikuara që u dalin para Shteteve të Bashkuara: “Nëse u hidhni një vështrim kërcënimeve me të vërtetë kritike në fushën e sigurimit, siç janë terrorizmi katastrofik, mbrojtja e infrastrukturës, shqetësimi rreth infrastrukturës tonë të informatave dhe armët e shkatërrimit në masë, dallimet e vjetra rreth kohës së paqes dhe të luftës, forcave të rendit dhe sigurimit kombëtar si dhe aspekteve të jashtme e atyre të brendshme, nuk kanë asnjë kuptim. Sipas mendimit tim, për të zgjidhur këtë peroblem mund të mos kërkohet një riorganizim rrënjësor, por në të vërtetë kërkohet ndryshim rrënjësor në pikëpamjen rreth autoritetit të drejtorit në kohë paqeje”, thotë analisti.

Shumë analistë të çështjeve të sigurimit thonë se sistemi i shërbimit amerikan të zbulimit mund të funksionojë plotësisht vetëm nëse agjencitë e zbulimit dhe departamenti i mbrojtjes punojnë së bashku. Mirëpo, James Woosley paralajmëron se në shumë raste kur merren vendimet buxhetore, shërbimi i zbulimit del në plan të dytë, pas forcave ushtarake. “Përgjithësisht, mendoj se gjatë viteve, ortakëria midis komunitetit të zbulimit dhe Departamentit të Mbrojtjes ka funksionuar mirë. Nuk mendoj se është nevoja për një riorganizim rrënjësor. Do të dëshiroja që drejtorit të Shërbimit Qendror t’i jepet rol më të madh në emrimin e drejtorëve të agjencive të tjera të zbulimit dhe një zë më i madh përsa i përket buxhetit. Por edhe në formën e tanishme puna nuk shkon keq”, thotë zoti Woosley.

Ish drejtorët e shërbimit qëndror të zbulimit mund të mos jenë dakord me shkallën e riorganizimit që nevojitet në agjencitë amerikane të zbulimit, por ata janë të një mendimi lidhur me nevojën për buxhete më të mëdha për të luftuar kërcënime si terrorizmin, trafikun e drogës dhe armët e shkatërrimit në masë.

XS
SM
MD
LG