Lidhje

Zbulime të reja për alzajmerin - 2001-06-01


Sëmundja e alzajmerit dhe çrregullime të tjera të trurit karakterizohen nga një grumbullim proteinash në tru. Profesor Ron Kopito i universitetit Stanford thotë se qelizat e shëndosha të trurit përdorin një enzimë ose proteazomë për të shpëndarë dhe zhdukur proteinat që nuk u nevojiten më qelizave të trurit. Ai thekson se kjo është edhe arsye që tek njerëzit normalë nuk ka grumbuj të mëdhenj proteinash. Por tek persona të prekur nga sëmundja alzajmer, thotë profesori Kopito, sistemi i heqjes së enzimës shkatërrohet dhe rezultati është grumbullimi i madh i proteinave.

Profesori Kopito thotë se ky lloj grumbullimi proteinash që ndodh në një numër çrregullimesh nervore, përfshirë sëmundjet Huntington dhe Parkinson, nuk është diçka e re për hulumtuesit:

“Mirëpo, ata nuk e dinin nëse grumbullimi i proteinave ishte shkaku apo pasojë e sëmundjes. Studimi ynë tregon se grumbullimi i proteinave mund të jetë shkak dhe pasojë e sëmundjeve. Ky është edhe cikli i egër që unë po shpjegoj. Kur grumbullohen, proteinat ndërhyjnë në vetë mekanizmin e qelizave që shërben për zhdukjen e proteinave apo për të parandaluar grumbullimin e tyre” thotë profesori.

Në një studim tjetër, hulumtuesit amerikanë dhe japonezë u përqëndruan në sëmundjen e alzajmerit. Ata punuan me minjë që u mungonte proteina e quajtur neprilisin. Tek këta minjë, thotë hulumtuesja Norma Gerard e univeristetit Harvard, shtypja e gjakut është më e ulët se tek minjtë normalë, dhe janë më në rrezik që gjaku i tyre të helmohet nga infektime prej baktereve. Në këtë studim, hulumtuesit bënë edhe një zbulim tjetër rreth neprilisinës. Tek minjtë e shëndoshë, thotë hulumtuesja Gerard, neprilisina arriti të zhduk proteinën amiloid dhe mplekset që janë karakteristika të sëmundjes alzajmer. Hulumtuesja Gerard thekson se si rrjedhim, teorikisht një strategji për trajtimin e sëmundjes alzajmer është që në një farë mënyre të injektohet neprilisinë në trurin e atyre që vuajnë nga ky çrregullim nervor. “Ky do të ishte objektivi, pasi është vërtetuar se në trurët e njerëzve të prekur nga sëmuandja alzajmer niveli i neprilisinës është më i ulët se në trurin normal. Kjo tregon se diçka shkakton uljen e niveleve të të shprehurit në trurët e prekur nga alcajmeri” thotë hulumtuesja.

Profesoresha Gererd parashikon që njerëzit do të ekzaminohen për nivelin e neprilisinës dhe do t’u jepet enzimë në formën e tabletës nëse është nevoja. Në këtë mënyrë, thekson ajo, do të parandaloheshin shumë raste të sëmundjes alzajmer. Ndërsa hulumtuesit po bëjnë përparim drejt zbulimit të mistereve të alzajmerit dhe sëmundjeve të tjera nervore, duket se trajtimi dhe kura për këto sëmundje duan shumë kohë të zhvillohen.

XS
SM
MD
LG