Lidhje

Në Jugosllavi përfundon zhvarrosja e trupave nga një varr masiv - 2001-06-04


Ekspertët e mjekësisë ligjore në Jugosllavi përfunduan zhvarrosjen e trupave nga një varr masiv, ku mendohet të jenë varrosur viktima të vitit 1999 të luftës së Kosovës. Një gjykatë e Beogradit thotë se autoritetet kanë zbuluar 36 trupa, midis të cilëve edhe trupat e 8 fëmijëve dhe nga një varr në afërsi të Batajnicës, në periferi të Beogradit. Trupat mendohet se janë disa prej atyre që u nxorrën nga një kamion frigorifer që u gjet në lumin Danub gjatë luftës në Kosovë. Zyrtarët jugosllavë thonë se autoritetet dhanë urdhër që 86 trupat që u gjetën në kamion të varroseshin, si pjesë e përpjekjeve për të fshehur fakte të mundshme për krime lufte. Mjekët ligjorë gjetën vrima plumbash në disa prej trupave, por thanë se do të duhen muaj për të përcaktuar shkakun e vdekjes për secilën nga viktimat. Në një lajm të njoftuar nga radio B-92 e Beogradit, u tha se të gjitha viktimat ishin shqiptarë dhe se dokumentet që u gjetën në trupat e tyre tregojnë se ata të gjithë jetonin në fshatin Suharekë, pranë Prizrenit. Ekspertë të Gjykatës së Hagës, OSBE-së dhe organizatave humanitare vëzhguan nga afër përpjekjet për kërkimin e trupave. Gazeta Glas-Javnost e Beogradit njofton se në një nga dy varret masive të zbuluara në fshatin Petrevo Selo u gjetën 16 trupa të tjerë. Autoritetet thonë se do të vazhdojnë kontrollet në varrin tjetër.

XS
SM
MD
LG