Lidhje

Tiranë: vazhdon debati për kandidatët e pavarur - 2001-06-04


Forcat politike dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdojnë debate të ndezura në Tiranë lidhur me manovrat rreth të ashtuquajturve “kandidatë të pavarur”. Partia “Bashkimi për të Drejtat e Njeriut”, Partia Social-Demokrate dhe Partia “Aleanca Demokratike” organizuan të hënën një tjetër tryezë me partitë më të vogla, nga ku ju bë thirrje KQZ dhe Komisioneve Zonale të Zgjedhjeve që të mos i regjistrojnë si të pavarur kandidatët për deputetë që janë të njohur si militantë partiakë.

Në deklaratën e tyre thuhet se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështjë është i padrejtë dhe antikushtetues, ndërsa kritikohet edhe udhëzimi i KQZ që lejon regjistrimin e të pavarurve deri në numrin 20. Kryetari i PBDNJ, Vasil Melo, organizator i tryezës, tha se Partia Socialiste që e nisi e para këtë manovër, po regjistron si të pavarur militantë të njohur socialistë dhe persona që janë caktuar nga forumet e larta drejtuese si kandidatë që përfaqësojnë PS-në. “Kjo - thotë ai - çrregullon zgjedhjet dhe i bën ato të papranueshme. Për ne zgjedhje të tilla janë të papranueshme. Le t’i pranojë kush të dojë. Le t’i pranojë vetëm një parti politike. Por ne partitë e tjera, nëse do të luhet në këtë mënyrë me fatet politike dhe me fatet e vendit, nuk mund të pranojmë zgjedhje të tilla”- tha Melo.

Partitë politike të mbledhura në këtë tryezë iu drejtuan edhe KQZ ku kanë anëtarë përfaqësuesit e tyre që të mos i kryejnë regjistrimet në këtë mënyrë, sepse kështu - sipas tyre - nuk ka zgjedhje të lira dhe demokratike.

Por menjëherë pas tryezës së partive politike, kryetari i KQZ, Ilirian Celibashi, doli në një konferencë shtypi në përpjekje për të mbyllur debatet rreth kësaj teme, duke dhënë shpjegime të tjera. “KQZ - tha zoti Celibashi - bëri maksimumin për të frenuar spekullimet me të pavarurit, duke vendosur si kufi numrin 20. Udhëzimi i KQZ - saktësoi ai - thekson që partitë politike nuk mund të mbështesin më shumë se 20 kandidatë të pavarur dhe, nëse kjo shifër kapërcehet, kandidatët do të regjistrohen me emrat e partive.

“Ne jemi shprehur se vlerësojmë bashkëpunimin me partië politike, por ato duhet të kenë të qartë se KQZ nuk do të bëhet pjesë e lojës dhe interesave që këto parti kërkojnë të realizojnë. Përpara deklaratave të nxituara dhe shpeshherë të paargumentuara ligjërisht - të cilat nuk bëjnë gjë tjetër vetëm tensionojnë në mënyrë artificiale situatën zgjedhore - partitë politike duhet të angazhohen për të respektuar ligjin dhe institucionet” - tha Celibashi.

Zoti Celibashi tha se KQZ vendosi për numrin 20 të të pavarurve, sepse ky është kufiri ku nuk cënohet formula e zgjedhjeve. Ai shtoi se nuk i takon KQZ të përcaktojë nëse një kandidat është i pavarur ose jo. Z.Celibashi u kujtoi komisionerëve të partive politike në gjithë vendin se ata janë në varësi të KQZ dhe se duhet të zbatojnë ligjin e udhëzimet e tij, dhe jo porositë e partive që përfaqësojnë. Ndërkaq jo vetëm PS, por edhe aleanca opozitare “Bashkimi për Fitore” që drejtohet nga Partia Demokratike, ka filluar të regjistrojë një pjesë të kandidatëve të vet si të pavarur për të neutralizuar, siç shpjegojnë drejtues të saj, efektet e manovrave të socialistëve. Tema e të ashtuquajturave “kandidatë të pavarur” provokoi komente të shumta edhe në shtyp. Të gjithë analistët kanë kritikuar PS dhe janë shprehur kundër kësaj loje, e cila - sipas tyre - veç shumë arësyesh të tjera, do të shkaktojë një tjerër shpërfytyrim të jetës politike shqiptare.

XS
SM
MD
LG