Lidhje

Çështja “kandidatët e pavarur” ndikon në ecurinë e zgjedhjeve - 2001-06-05


Komisionet Zonale të Zgjedhjeve po dorëzojnë gjatë të mërkurës - në fund të afatit ligjor - dokumentacionin e regjistrimit të kandidatëve për deputetë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Tiranë. Zyrtarë të këtij komisioni bënë të ditur se deri në mesditë më tepër se 70% e dokumentacionit të rretheve ka mbërritur në Tiranë dhe se vonesat e shkaktuara për një pjesë të vogël të zonave lidhen me rrugët e gjata dhe vështirësitë e terrenit dhe jo me shqetësime të natyrës burokratike.

Burime nga K.Q.Z. bëjnë të ditur se shqyrtimi i dokumentacionit të ardhur nga zonat nuk po shqyrtohet menjëherë dhe se analizimi i tyre do të bëhet atëherë kur të gjitha zonat të kryejnë dorëzimin e plotë të materialeve. Kjo vlerësohet si një nga fazat më të rëndësishme të procesit zgjedhor, pasi nga hapja e këtij dokumentacioni do të ndriçohet edhe qëndrimi i partive politike lidhur me cështjen aq shumë të debatuar të të ashtuquajturve “kandidatë të pavarur”. Jozyrtarisht është bërë e ditur që si Partia Socialiste ashtu edhe aleanca opozitare “Bashkimi për fitore” i kanë regjistruar një pjesë të kandidatëve të vet nën emërtimin si “të pavarur”.

K.Q.Z. pritet të zhvillojë të mërkurën në mbrëmje një tjetër mbledhje ku do të hapet sërish debati lidhur me interpretimin e nenit 66 të Kodit Zgjedhor që flet për këtë çështje. Zyrtarë të këtij komisioni pohojnë se në rifillimin e këtij debati, krahas zbatimit të ligjit, K.Q.Z. do të marrë parasysh edhe ndjeshmërinë mjaft të lartë të partive politike rreth të ashtuquajturve “kandidatë të pavarur”. Në një mbledhje të orëve të vona të martën - që zgjati deri pas mesnate - së bashku me përfaqësues të partive politike, K.Q.Z. vendosi të shfuqizojë një udhëzim të mëparshëm, sipas të cilit, partive politike u lejohej të mbështesnin jo më shumë se 20 kandidatë të pavarur për deputetë.

Zyrtarë të komisionit pohojnë se interpretimi rreth të ashtuquajturve “të pavarur” është praktikisht një çështje veçanërisht e vështirë që i ka mbetur në shpinë për ta zgjidhur K.Q.Z.-së, pasi parlamenti është shpërndarë dhe Gjykata Kushtetuese konfirmoi nenet përkatëse të Kodit Zgjedhor. Ndërkaq partitë politike vazhdojnë të protestojnë kundër manovrës elektorale të iniciuar nga PS me “kandidatë të pavarur”. Këto parti e kanë kushtëzuar mosregjistrimin e “të pavarurve” me mosnjohjen e zgjedhjeve

XS
SM
MD
LG