Lidhje

Human Rights Watch për Maqedoninë - 2001-06-08


Organizata Human Rights Watch me qendër në Nju Jork bëri komente mbi shkeljet e të drejtave të njeriut në Maqedoni. Human Right Watch, organizatë e njohur që vëzhgon gjendjen e të drejtave të njeriut në vende të ndryshme të botës, dënoi ato që ajo i quajti abuzime të Ushtrisë Clirimtare Kombëtare kundër civilëve si dhe disa veprime të policisë gjatë trazirave në qytetin e Manastirit.

Human Rights Watch thotë se Ushtria Çlirimtare Kombëtare ka keqtrajtuar fizikisht 8 civilë serbë, të cilët i ka mbajtur në fshatin Mateq të Maqedonisë veriore.

Një zëdhënës i organizatës Human Rights Watch tha se këta fshatarë nuk ishin aspak persona të angazhuar në luftime por disa prej tyre ishin prindër policësh dhe UÇK-ja ka përgjegjësi për të respektuar ligjin ndërkombëtar po aq sa edhe qeveria maqedonase.

Sipas të intervistuarve, të gjithë fshatarët e Mateqit kishin vendosur që të evitonin luftimet midis UÇK-së dhe trupave qeveritare dhe pleqtë e fshatit kishin kërkuar që UÇK-ja të mos hynte në fshat.

Ndërkohë, organizata Human Rights Watch thotë se policia në qytetin e Manastirit nuk bëri përpjekje për të ndalur turmat që po shkaktonin trazirat në qytetin e Manastirit të premten mbrëma, madje disa policë morën pjesë aktive në aktet e dhunës. Si rrjedhojë, thotë Human Rights Watch, dhjetra shtëpi dhe dyqane shqiptarësh u dogjën nga turmat. Trazirat ndodhën pas vrasjes së 5 ushtarëve maqedonas nga UÇK-ja.

Zëdhënësit e organizatës thonë se policia ka përgjegjësi për të ndalur dhunën e jo ta acarojë atë. Organizata thotë gjithashtu se shtëpitë e djegura duket se ishin zgjedhur me kujdes. Midis tyre kishte shtëpi të polikanëve të njohur shqiptarë si dhe të shqiptarëve të pasur.

XS
SM
MD
LG