Lidhje

Përmirësimi i marrëdhënieve me Iranin - 2001-06-11


Ditën kur presidenti i Iranit, Mohammad Khatami, u zgjodh për një mandat të dytë, duke siguruar një fitore të thellë në zgjedhjet presidenciale, Këshilli i Atlantikut, me seli në Uashington, nëpërmjet një raporti bëri thirrje për përmirësimin e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Iranin. Një hap i parë, thuhet në raport, do të ishte zbutja e sanksioneve ekonomike amerikane, lëvizje kjo që gëzon mbështetjen e administratës së presidentit Bush, por jo të Kongresit.

Gjatë 20 vjetëve të fundit Irani u ka shkaktuar Shteteve të Bashkuara më shumë probleme se çdo vend tjetër, tha ish-anëtari i Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Lee Hamilton, në një takim që u mbajt në Klubin Kombëtar të Shtypit, në Uashington. Irani, theksoi ai, ka bërë çdo përpjekje të mundshme për të poshtëruar dhe dëmtuar Shtetet e Bashkuara.

“Ne i mbajmë mend shpërthimet në kazermat e marinës, një nga goditjet më të rënda kundër forcave amerikane në disa dhjetëvjeçarë. Ne e mbajmë mend sulmin kundër ambasadës amerikane. Dhe sigurisht nuk e kemi harruar atë që ndodhi në Khobar Towers, që nuk e dimë se kush e shkaktoi, por dimë që Irani nuk bashkëpunoi në përpjekjet tona për të gjetur autorët e krimit. Dhe po ashtu e dimë që Irani ka kërkuar armë të shkatërrimit në masë” tha zoti Hamilton.

Por zoti Hamilton është një nga autorët e raportit të ri, i cili bën thirrje për heqjen e sanksioneve amerikane ndaj Iranit, si një mënyrë për të filluar marrëdhënie pune, praktike dhe josentimentale ndërmjet dy vendeve. Sanksionet ndaj Iranit u vunë për shkak se mbështeste grupet terroriste, kundërshtonte procesin e paqes në Lindjen e Mesme dhe përpiqej të blinte armë të shkatërrimit në masë.

Por sanksionet, vuri në dukje zoti Hamilton, nuk e ndryshuan qëndrimin e Iranit, siç pritej dhe veç kësaj ato kanë dëmtuar kompanitë amerikane, të cilat nuk mund të bëjnë tregti me Iranin. Ish-Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Schlesinger, që dha ndihmesën e tij në hartimin e raportit, tha se në Lindjen e Mesme ka probleme, që shkojnë përtej mosmarrëveshjeve të Shteteve të Bashkuara me Iranin.

“Ne kemi mundësi të trajtojmë me qeverinë e Iranit çështje të tilla si Afganistani dhe Iraku. Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe qeveria iraniane kanë pikëpamje të ngjashme përsa u përket Talebanëve në Afganistan. Këtu ka mundësi për të bashkëpunuar. Por këto mundësi do të ishin të pakta po të mungonte komunikimi ndërmjet dy qeverive” tha zoti Schlesinger.

Ish-këshilltari për Çështjet e Sigurimit Kombëtar, Brent Scowcroft, tha në takim se Shtetet e Bashkuara duhet të ndërmarrin hapa për të inkurajuar lëvizjen reformiste, e cila është duke u rritur në Iran dhe sapo siguroi edhe një fitore tjetër në zgjedhjet e fundit. “Deri tani reagimi amerikan ka qenë importimi i haviarit, dhe i qilimave. Ne duhet të bëjmë më shumë. Ne kemi mbetur tek armiqësitë e vjetra kur atje vihet re një manifestim i shkëlqyer i shpirtit njerëzor. Ne duhet t’i tregojmë popullit iranian se e njohim luftën e tij dhe se jemi në anën e tij”.

Duhet të jemi të kujdesshëm kur të marrim anën e dikujt, paralajmëroi kryetari i Këshillit amerikano-iranian, Hooshang Amirahmadi, i cili shtoi se Irani është disi i kënaqur me raportin e Këshillit Atlantik.

“Irani nuk do në të vërtetë që as qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe as Këshilli Atlantik të marrin anën e reformatorëve apo të të ashtuquajturve konservatorë. Këto organizma duhet të marrin anën e demokracisë, të të drejtave të njeriut e kështu me radhë dhe jo të zgjedhin një udhëheqës kundër një tjetri. Kjo nuk ka ndihmuar në të kaluarën dhe as nuk ka për ta ndihmuar presidentin Khatami gjatë mandatit të tij të dytë”.

Zoti Amirahmadi tha se presidenti Khatami, që i ka forcuar pozitat nga zgjedhja për një mandat të dytë, do të jetë i gatshëm t’i përgjigjet një xhesti kuptimplotë nga ana e Shteteve të Bashkuara. Një shëmbull mund të ishte gadishmëria për të vendosur marrëdhënie diplomatike, ose për të lejuar naftën e Kaspikut të kalojë përmes Iranit për në Gjirin Persik, rruga më e shkurtër dhe më ekonomike e naftës për në botën e jashtme.

Por afrimi me Iranin është i rrezikshëm, thotë Freidoun Hoveida, bashkëpunëtor i vjetër pranë Këshillit Kombëtar për Politikën e Jashtme Amerikane. Në marrëdhëniet me Iranin, Shtetet e Bashkuara nuk duhet të presin ndryshime dramatike, paralajmëroi ai.

XS
SM
MD
LG