Lidhje

Intervistë me Arben Xhaferri, - 2001-06-14


VOA- Zoti Xhaferri ju sot patët takim me Zotin Roberston dhe Zotin Solana. Çfarë u bisedua në këto takime?

XHAFERRI- Po në vend të parë ata erdhën të shpjegojnë se angazhimi i tyre mund të jete më konkret në Maqedoni. Çuditërisht ndodhemi në përputhshmërinë mes kërkesave të qeverisë Maqedonase dhe UÇK-së. Të dyja palët kërkojnë që NATO-ja të angazhohet në ndalimin e luftimeve në shtet. Pra Natoja shfaq interesim më të madh dhe ekziston mundësi reale të ketë një zonë-tampon mes palëve luftuese dhe NATO të marrë përgjegjësinë për çarmatosjen. Nga ana ime hodha idenë e krijimit të një agjende të prioriteteve. Prioriteti i parë gjithsesi duhet të jetë armëpushimi i dyanshëm; prioriteti i dytë do jetë parandalimi i degjenerimit të sistemit, pas shfaqjes së fenomenit të njësive paramilitare që kidnapojnë apo vrasin si ishte rasti me aktivistin tonë zotin Naser Hamin ku nga një grup ende i panjohur, me siguri i përbërë nga segmente sekrete shtetërore, u kidnapua dhe u vra. Pra ne kërkojmë që të parandalohet degjenerimi i sistemit, format e krijimit të rezervistëve të ashtuquajtur që janë pjesë ndihmëse e strukturave ushtarake. Nga ana tjetër kërkuam prezencën sa më të fuqishme të NATOS në këto hapësira.

VOA-Zoti Xhaferri, sa mund të jetë i pranueshëm plani i presidentit Trajkovski nga shqiptarët në Maqedoni, nëse UÇK-ja nuk e pranon atë?

XHAFERRI- Po gjithmonë e kemi theksuar, se plane të tilla janë pa adresë nëse nuk i drejtohen UÇK- së. Faktor lufte është UÇK-ja, nuk janë partitë politike. Ne nga ana jonë kërkojmë politikisht që Maqedonia të përfshihet në interesat perëndimore që NATO të jetë sa më shumë prezente këtu, po ashtu i sugjerojmë UÇK-së të dijë se ku është vija e kuqe dhe ku nuk guxojmë t’i shkelim interesat vitale të NATO-s. Pra ne politikisht spikasim interesat kombëtare shqiptare duke i vënë ato në kuadër të kompleksit të interesave perëndimore.

VOA- Zoti Xhaferri, qeveria maqedonase ka shprehur gatishmërinë për të ruajtur armëpushimin. Nëse armëpushimi është i dyanshëm, a mendoni se ajo mund t’i pranojë kërkesat e UÇK-së dhe në përgjithesi të faktorit politik shqiptar?

XHAFERRI- Tani është korrespondenca pa adresë në mes të UÇK-së dhe qeverisë maqedonase. Apelet dërgohen në opinion. Kërkova nga zoti Roberston, që të ngrihet një mision ndërmjetësues që të ishte adresa ku dërgohet këto kërkesa. Përsa i përket kërkesave politike shqiptare, mendoj se të gjithë janë ndërgjegjësuar se pa përmbushjen e këtyre kërkesave nuk mund të kemi paqe të qëndrueshme. VOA- Zoti Xhaferri ju faleminderit.

XS
SM
MD
LG