Lidhje

Kalendari historik i datës 15 qershor - 2001-06-15


Më 15 qershor të vitit 1775, Kongresi i Parë Kontinental emëroi George Washingtonin si gjeneral dhe komandant të përgjithshëm të ushtrisë kontinentale. Zoti Washington ishte bujk dhe oficer me përvojë i milicisë së Virxhinias. Shënimet mbi debatin e zhvilluar në kongres mungojnë, por një letër e delegatit John Adams, drejtuar bashkëshortes, e përshkruan George Washingtonin si “modest dhe të virtytshëm, të dashur, zemërbardhë dhe trim”. Gjenerali Washington drejtoi me sukses fushatën ushtarake gjatë Luftës Revolucionare dhe më vonë u zgjodh si presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara. Ai njihet si një nga baballarët e kombit amerikan.

Më 15 qershor të vitit 1964, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara nxori një vendim që zgjidhte përfundimisht çështjen e mbizotërimit të legjislaturave nga përfaqësues të zonave fshatare. Në atë kohë, përfaqësimi në njërën apo në të dyja dhomat e kongreseve të të gjitha shteteve amerikane bazohej pjesërisht në parimin gjeografik. Ky parim u jepte zgjedhësve nga zonat rurale mundësinë të përfaqësoheshin më shumë nga sa u takonte, në kontrast kjo me zgjedhësit e qyteteve dhe të periferive ku dendësia e popullsisë ishte e madhe. Vendimi i Gjykatës së Lartë parashikonte përfaqësimin në të dyja dhomat e legjislaturës së një shteti në bazë të popullsisë. Nga fundi i viteve 60-të, mbizotërimi i përfaqësuesve nga zonat rurale ishte përmbysur në një masë të madhe. Duke shprehur mendimin e shumicës së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, kryetari i saj, Earl Warren shkruante: “Anëtarët e legjislaturës përfaqësojnë popullin, dhe jo drurët e pemëve dhe hektarët. Ata zgjidhen prej votuesve dhe jo nga fermat ose qytetet apo interesat ekonomike”.

XS
SM
MD
LG