Lidhje

Zbulohet gjeni që pakëson rrezikun e kancerit në gji - 2001-06-18


Shkencëtarët kanë njëjtësuar një gjen që mund të zvogëlojë rrezikun e prekjes së grave nga kanceri. Zbulimi u botua në numrin e fundit të revistës së shoqatës mjeksore amerikane. Gjeni kanceroz BRCA njihet për shtimin e rrezikut për zhvillimin e kancerit të gjirit. Por çmund të thuhet për gjenin që e pakëson këtë rrezik?

Ky gjen mbrojtës quhet TFG BETA 1 dhe është një proteinë që ndihmon në ndarjen dhe shtimin e rregullt të qelizave. Mjeku Elad Ziv pranë universitetit të San Franciskos në Kaliforni dhe kolegët e tij analizuan në laborator qeliza të gjakut të më se 3 mijë grave të racës së bardhë të moshës 65 vjeçare. Ata arritën në përfundimin se gratë me përqëndrime të larta të proteinës TFG BETA 1 duket se janë më të mbrojtura ndaj kancerit të gjirit.

“Ky është një studim paraprak që duhet shoqëruar me studime të tjera mes grave në grup mosha e raca të ndryshme” shpjegon mjeku.

Edhe mjekja Katrina Armstrong është dakord me këtë ide. Në një artikull botuar në revistën e Shoqatës Mjeskore Amerikane, mjekja Armstrong e Universitetit të Pensilvanisë thotë se studime të tjera nevojiten për të konfirmuar të mirat e gjenit TFG BETA .

“Në studimet fillestare ne ndonjëherë gjejmë të dhëna mjaft inkurajuese por kur studimi zgjerohet e thellohet të dhënat dalin zhgënjyese. Për këtët arsye nevojiten kërkimeve të mëtejshme dhe të dhënat e përftuara pastaj të shqyrtohen e krahasohen nën dritën e të gjitha zbulimeve të tjera të deritanishme në fushën e kancerit të gjirit” thotë mjekja.

Shkencëtarët thonë se atyre u duhet gjithashtu të përcaktojnë se në ç’mënyrë funksionon ky lloj gjeni që duket se ndihmon për mbrojtjen e grave nga kanceri i gjirit.

XS
SM
MD
LG