Lidhje

Sekretari Powell për çështjen shqiptare - 2001-06-20


Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, i tha dje (19 qershor) një grupi amerikanësh dhe shqiptaro amerikanësh që mbështesin shqiptarët e Maqedonisë të mbërthyer në konflikt, se synimet amerikane për të angazhuar Rusinë në Ballkan nuk përbëjnë ndonjë ndryshim në politikë. Takimi i djeshëm me shefin e diplomacisë amerikane u organizua nga bashkëkryetarët e grupit për çështjet shqiptare në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Sue Kelley dhe Eliot Engel. Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan, Ilir Zherka, tha në një intervistë me seksionin shqip të Zërit të Amerikës se në takimin me sekretarin Powell, grupi shtroi dy çështje kryresore:

“Së pari, theksoi zoti Zherka, ne shprehëm mendimin se Rusia nuk mund të jetë partnere e barabartë me Shtetet e Bashkuara përsa i përket politikës ndaj Maqedonisë dhe së dyti, qeveria amerikane duhet të ushtrojë trysni ndaj qeverisë maqedonase që ta marrë më seriozisht zbatimin e reformave.”

Duke marrë parasysh lidhjet historike të Rusisë me popujt sllavë në rajon dhe mbështetjen ruse për ish udhëheqësin jugosllav Sllobodan Millosehviç, theksoi zoti Zherka, shqiptarët i shikojnë rusët me dyshim, si kundërshtar të aspiratave të tyre kombëtare. Zoti Zherka tha se sekretari Powell e bëri të qartë se politika amerikane ndaj rajonit është e lidhur ngusht me politikën e Bashkimit Evropian dhe se kjo politikë nuk do të ndryshojë si rrjedhim i rritjes së rolit rus në këtë proces. Washingtoni dhe aleatët e tij evropianë, tha zoti Powell, kërkojnë t’i japin fund konfliktit të armatosur, ndërkohë që ushtrojnë trysni për ndryshime politike për t’u dhënë grupeve etnike një zë më të madh në çështjet e tyre. “Sekretari Powell tha se mendon që duhet të zhvillohet një dialog me një synim të qartë dhe se është e nevojshme që aspiratat e përligjshme të shqiptarëve të njihen dhe të zbatohen reforma për trajtimin e çështjeve të paraqitura prej tyre. Përsa i përket UÇK-së, qendrimi i sekretarit Powell, theksoi zoti Zherka, ështe se procesi politik, nëse shkon drejt një përfundimi të logjikshëm me rezultate të kënaqëshme, do ta bënte kryengritjen e armatosur të panevjshme” tha zoti Zherka.

Siç bëhet e ditur, udhëheqësit politikë të Maqedonisë po përpiqen të dalin me propozime që do t’i bindnin luftëtarët shqiptarë të ulin armët, gjë që do ta lejonte Naton të dërgonte një forcë për të mbikëqyrur armëpushumin. Shqiptarët kërkojnë ndryshime në kushtetutën e Maqedonisë. Mirëpo, udhëheqësit e shumicës sllave kundërshtojnë çdo ndryshim në kreun e kushtetutës, ku shqiptarët cilësohen si një nga disa pakicat në vendin e popullit maqedonas.

Bashkëkryetari i grupit të Dhomës së përfaqësuesve të Kongresit amerikan për çështjet shqiptare, ligjvënësi Eliot Engel, tha se sekretari Powell e kishte siguruar atë se Shtetet e Bashkuara do të mbeten të angazhuara në rajon. Ligjvënësi amerikan tha gjithashtu se ai është i bindur që sikur qeveria maqedonase t’i trajtonte drejtësisht shqetësimet e shqiptarëve, kryengritja do të ndërpritej menjëherë.

Ligjvënësi Engel tha në fund se Shtetet e Bashkuara nuk duhet t’i tërheqin paqeruajtësit nga rajoni dhe se propozimi që Natoja të dërgojë forca paqeruajtëse në Maqedoni mund të jetë shumë pozitiv në rrethana të caktuara.

XS
SM
MD
LG