Lidhje

Kalendari historik i datës 21 qershor - 2001-06-22


Më 21 qershor të vitit 1945, komanda e Shteteve të Bashkuara në Paqësor njoftoi se trupat amerikane kishin marr nën kontroll ishullin Okinava, pas një beteje të përgjakshme kundër forcave japoneze, që zgjati më shumë se 80 ditë. Komanda e vendeve aleate zgjodhi ishullin e Okinavës për të ndërhyrë sepse bazat mund të ndërtoheshin në ishull për ndërmarrjen e sulmeve ajrore kundër ishujve japonezë. Futja nën kontroll e ishullit Okinava i bëri gjithashtu të mundur marinës amerikane që të ndërpriste lidhjet e furnizmit e të komunikimit të Japonisë me bazat e saj në detin e Kinës Jugore. Zbarkimet e para amerikane më 1 prill 1945 nuk hasën thuajse në asnjë qendresë. Strategjia japoneze ishte përqëndrimi i mbrojtjes në brëndësi të territorit, jashtë rrezes së efektshme të armëve të marinës amerikane. Rreth 110 mijë ushtarë dhe pilotë japonezë dhanë jetën në mbrojtje të ishullit. Vetëm 7 mijë e 400 u dorëzuan. Thuhet se mes forcave amerikane në Okinava humbën jetën mbi 12 mijë e 500 ushtarë dhe u plagosën mbi 36 mijë e 600 të tjerë, numri më i madh i viktimave në çdo ndërhyrje luftarake në Paqësor.

Më 21 qershor të vitit 1788, kushtetuta e re e Shteteve të Bashkuara hyri në fuqi, pasi u ratifikua nga shteti New Hampshire. Megjithatë, ratifikimi nga ky shtet nuk ishte një hap i sigurtë. Kur kuvendi i shtetit u mblodh fillimisht para 4 muajsh, në shkurt të vitit 1788, shumica e delegatëve synonin të votonin kundër projekt-kushtetutës nga frika se ky dokument do t’u jepte shumë pushtet qeverisë qëndrore dhe shteteve të mëdha në dëm të shteteve të vogla si New Hampshire. Duke e ditur se kundërshtimi nga delegatët e shtetit New Hampshire mund të minonte kushtetutën, delegatët, që mbështesnin ratifikimin, bënë të gjitha përpjekjet dhe siguruan shtyrjen e votimit. Kjo shtyrje i dha palës pro kushtetutës kohë të mjaftueshme për të bindur delegatët kundërshtarë lidhur me vlerat e dokumentit të ri e në këtë mënyrë kushtetuta u bë pjesë e përhershme e sistemit amerikan të qeverijes.

XS
SM
MD
LG