Lidhje

Departamenti i Shtetit për zgjedhjet në Shqipëri - 2001-06-23


Departamenti amerikan i Shtetit, bëri dje një deklaratë lidhur me zgjedhjet e 24 qershorit në Shqipëri. Në vazhdim ju ftojmë të ndiqni tekstin e deklaratës: Shtetet e Bashkuara inkurajojnë fuqimisht zgjedhje të lira, të ndershme dhe paqësore, më 24 qershor, kur shqiptarët do të hedhin votën për të 140 anëtarët e parlamentit të vendit. Ne, thuhet në deklaratë, vlerësojmë Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, si dhe të gjitha partitë politike, të cilët kanë punuar me të gjitha forcat që këto zgjedhje të plotësojnë standartet ndërkombëtare.

Në bashkëpunim të ngushtë me zyrën e ODHIR-it, Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian dhe organizma të tjera të komunitetit ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara kanë inkurajuar në mënyrë energjike një proces të shëndetshëm zgjedhor. Me ftesë të qeverisë shqiptare, ne do të ndihmojmë gjithashtu punën e vëzhguesve vendas, duke dërguar vëzhgues të tjerë ditën e zgjedhjeve.

Shtetet e Bashkuara nuk favorizojnë ndonjë parti, koalicion apo kandidat të veçantë dhe janë të gatshme të bashkëpunojnë me cilindo që qytetarët shqiptarë do të zgjedhin me rrugë legjitime. Ne, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit, u bëjmë thirrje udhëheqësve të të gjitha partive politike të Shqipërisë që të pranojnë rezultatet e zgjedhjeve dhe të punojnë së bashku, brenda institucioneve juridike dhe elektorale të ngritura me rrugë të ligjshme, për të zgjidhur të gjitha mosmrrëveshjet që mund të lindin.

Respekti për rezultatet e votimeve dhe një proces paqësor janë elementë thelbësorë të demokracisë. Zgjedhjet parlamentare të 24 qershorit do të jenë një tregues vendimtar në rrugën e Shqipërisë drejt demokracisë dhe integrimit të mëtejshëm në rrjedhat e mëdha euro-atlantike.

XS
SM
MD
LG