Lidhje

SHBA për ekstradimin e Milosheviçit - 2001-06-30


Zyrtarë të administratës së Shteteve të Bashkuara thonë se ekstradimi i zotit Millosheviç, që ndodhi më shpejt nga sa e parashikonin analistët, ishte një ngjarje e rëndësishme, që duhet t’u japë një shtytje të re përpara proceseve demokratike në Jugosllavi dhe t’ua bëjë më të vështirë gjendjen personave të tjerë të akuzuar për krime lufte. Tani që zoti Milloshevic është i burgosur, vëmendja e Shteteve të Bashkuara është zhvendosur tek ish-presidenti i serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç dhe ish-shefi i tij ushtarak, Ratko Mlladiç, të cilët vazhdojnë të jenë të lirë dhe mendohet të qendrojnë të fshehur në pjesën serbe të Bosnje-Hercegovinës.

Në takimin me gazetar, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Philip Reeker, tha se ekstradimi i zotit Millosheviç, ishte një veprim i rëndësishëm, simbolik dhe mjaft domethënës, për ish-figurat e serbëve të Bosnjes, që nuk i janë dorëzuar akoma gjykatës së Hagës.

“Ky hap, tha ai, mendoj se do t’i japë mundësi Jugosllavisë të shkëputet nga fantazmat e së kaluarës dhe t’i përvishet punës për të ardhmen. Mendoj që edhe të tjerë në rajon do ta kuptojnë se ekzistojnë mundësitë, që edhe ata të ecin përpara, duke i dorëzuar gjykatës së Hagës, persona të tjerë të akuzuar si kriminelë lufte, për të dhënë llogari për krimet e tyre. Siç e dini, qoftë publikisht, ose me rrugë diplomatike, ne u kemi bërë trysni qeverive që të përcaktojnë vendndodhjen, t’i arrestojnë dhe dërgojnë në Hagë, individë të tillë si Mlladic dhe Karaxhic.”

Zoti Reeker tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndërpresin përpjekjet e tyre derisa t’u dorëzohen organeve të drejtësisë, Mlladiçi apo Karaxhiçi, ndonëse ai nuk la të kuptohet në se forcat paqeruajtëse të Natos në Bosnje kanë ndër mend të bëhen më agresive në ndjekjen e personave të akuzuar për krime lufte. Zyrtarët e Uashingtonit e minimizuan rëndësinë e trazirave politike në Beograd, që pasuan ekstradimin e zotit Milloshevic të enjten, përfshirë edhe dorëheqjen e kryeministrit jugosllav, Zoran Zizic dhe faktin që presidenti Vojisllav Kostunica e cilësoi ekstradimin e zotit Milloshevic si jokushtetues.

Zëdhënësi Reeker tha se zoti Koshtunica ka pranuar në mënyrë të përsëritur detyrimin e qeverisë së tij për të bashkëpunuar me gjykatën e OKB-së për krimet e luftës dhe shtoi se administrata e presidentit Bush ka besim të plotë se bashkëpunimi jugosllav do të vazhdojë me hapa të mëtejshëm. Administrata vendosi vetëm të mërkurën, bazuar në premtimet e Beogradit për të mbështetur gjykatën, që të merrte pjesë në konferencën e vendeve dhuruese në Bruksel, e cila premtoi rreth një miliard e 300 milionë dollarë ndihma për rindërtimin e Jugosllavisë.

Fillimisht Shtetet e Bashkuara mendonin të premtonin në mënyrë të kushtëzuar 106 milionë dollarë për këtë qëllim. Por pas ekstradimit të Millosheviçit, Shtëpia e Bardhë u këshillua me udhëheqës të Kongresit dhe vendosi ta ngrejë premtimin amerikan në mbi 180 milionë dollarë, që përbën rreth 15 përqind të totalit të ndihmave të premtuara në Bruksel.

XS
SM
MD
LG