Lidhje

Kalendari historik i datës 30 qershor - 2001-06-30


Më 30 qershor 1971, legjislatura e shtetit Ohio ratifikoi amendamentin e propozuar të Kushtetutës për të ulur moshën e votimit në 18 vjeç. Kështu, Ohio u bë i 38-ti nga të 50 shtetet e Amerikës, që e ratifikonte amendamentin, pra ai ratifikohej nga tre të katërtat e shteteve, siç e kërkonte kushtetuta. Më parë, ligjet e pothuajse çdo shteti përcaktonin se mosha minimale e votimit duhet të ishte 21 vjeç. Pesë ditë pas ratifikimit nga shteti Ohio, amendamenti i 26-të u zyrtarizua me një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë, të kryesuar nga presidenti Richard Nixon. Presidenti foli pastaj para pjestarëve të një organizate të rinjsh që do të fillonin një turne jashtë vendit: Arësyeja që unë besoj se brezi juaj, që përbën 11 milion votues të rinj, do të bëjë kaq shumë për Amerikën, është se ju do t’i jepni këtij vendi idealizëm, kurajo, energji dhe moral të lartë për të cilin ai ka nevojë gjithnjë, tha presidenti Nixon.

Më 30 qershor 1971, Gjykata e Lartë amerikane vendosi se gazetat Nju Jork Tajms dhe Uashington Post mund të rifillonin botimin e të ashtuquajturave ”Dokumente të Pentagonit”. Një gjykatë më e ulët i kishte urdhëruar gazetat ta ndërprisnin botimin e këtyre dokumenteve, të cilat ishin një studim i Departamentit të Mbrojtjes. Studimi ishte urdhëruar të kryhej nga ministri i mbrojtjes, Robert McNamara në vitin 1967, për të analizuar debatet e brendshme qeveritare dhe procesin e marrjes së vendimeve që kishin lidhje me pjesmarrjen amerikane në Luftën e Vietnamit. Nga ky studim prej 47 vëllimesh dilte se 4 administrata me radhë i kishin mbajtur të fshehta nga publiku dhe nga Kongresi një sërë vendimesh të rëndësishme politike dhe ushtarake. Aty dilte gjithashtu se zëdhënësit qeveritarë shpesh kishin bërë deklarata të rreme. Gjykata e Ulët ishte shprehur se botimi i dokumenteve duhej ndaluar sepse kërcënonte sigurimin e vendit. Por Gjykata e lartë amerikane deklaroi se garancia kushtetuese për shtypin e lirë nuk mund të shkelej.

XS
SM
MD
LG