Lidhje

Kalendari Historik i datës 1 korrik - 2001-07-01


Më 1 korrik 1976, presidenti Gerald Ford ndihmoi në hapjen e Muzeut Kombëtar të Aeronautikës në Uashington. Ndërtesa prej xhami dhe mermeri përmbante rreth 100 mjete fluturuese, ndërmjet të cilave pajisja fluturuese prej telash, druri dhe pëlhure e vëllezërve Wright, i pari aeroplan i vërtetë që fluturonte me fuqinë e vet. Po ashtu varur në tavanin e galerisë kryesore të muzeut ishte avioni raketë ngjyrë portokalli dhe në formë plumbi, i cili kapërceu i pari barrierën zanore.

Në muze gjenden edhe shumë pajisje të tjera fluturuese me rëndësi historike, si raketa dhe anije të hapësirës, përfshirë modulin e komandimit të misionit Apollo 11 me të cilin fluturuan për në Hënë dhe u kthyen në Tokë astronautët amerikanë në vitin 1969. Që nga dita e hapjes së tij, Muzeu Kombëtar i Astronautikës, është bërë një nga pikat më tërheqëse turistike të Uashingtonit.

Më 1 korrik 1863 nisën të shtënat e para të asaj që u bë beteja më vendimtare e Luftës Civile Amerikane. Beteja u zhvillua në fushat përreth fshatit të vogël bujqësor të Pensilvanisë, Gettysburg. Gjenerali i forcave të Konfederatës, Robert Lee, kishte udhëhequr ushtrinë e tij të Virginias Veriore drejt Pensilvanisë, duke pushtuar pjesë të territorit të Unionit.

Beteja filloi kur këmbësoria e trupave të Konfederatës duke kërkuar një depo këpucësh në Gettysburg, sulmoi kalorinë e Unionit në veri të fshatit. Gjatë betejës triditëshe që pasoi, numri i përgjithshëm i të vrarëve, të plagosurve, robërve dhe personave të humbur pa gjurmë, arriti në 43 mijë. Ushtria e Unionit, e komanduar nga gjenerali, George Meade, pati më shumë viktima sesa trupat e Konfederatës, por forcat e Unionit i mbajtën pozicionet e tyre dhe i detyruan jugorët të tërhiqen. Shumë nga studiuesit e betejës ia atribuojnë fitoren e Unionit, sulmeve të guximshme por të bashkërenduara keq të gjeneralit Lee, kundër radhëve shumë të fuqishme të forcave të Unionit. Ndonëse Lufta Civile vazhdoi edhe dy vjet, shumë historianë thonë se pas Betejës së Gettysburgut në korrik 1863, disfata e Konfederatës ishte bërë e pashmangshme.

XS
SM
MD
LG