Lidhje

Koshtunica ka 90 ditë për forminin e qeverisë së re - 2001-07-04


Kuvendi Federal i Jugosllavisë miratoi zyrtarisht dorëheqjen e Kryeministrit Zoran Zhizhiç. Tani Presidenti Koshtunica ka 90 ditë afat për të krijuar qeverinë e re. Kryeministri Zhizhiç dha dorëheqjen javën e kaluar në shenjë protestë për ekstradimin e ish presidentit Sllobodan Millosheviç në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në Hagë. Partia e zotit Zhizhiç, Partia Popullore Socialiste e Malit të Zi, bënte pjesë në koalicionin qeveritar të Jugosllavisë, të mbizotëruar nga Opozita Demokratike Reformiste e Serbisë, udhëheqësit e të cilës ekstraduan zotin Millosheviç.

Mali i Zi kërkon zgjedhje të reja federale Partia Popullore Socialiste e Malit të Zi bëri thirrje për zhvillimin e zgjedhjeve të reja federale pas dorëheqjes së kabinetit qeveritar ditën e premte. Udhëheqësi i kësaj partie, Pedrag Bulatoviç i bëri këto komente pas bisedimeve në Beograd me presidentin Vojisllav Koshtunica lidhur me formimin e qeverisë së re. Kryeministri jugosllav Zoran Zhizhiç, që është anëtar i kësaj partie, shkaktoi rrëzimin e qeverisë me dorëheqjen e tij në shenjë proteste ndaj eksptradimit në Hagë të ish-presidentit Sllobodan Millosheviç.

Partia Popullore Socialiste ka qenë partnerja e vogël e koalicionit qeveritar të Jugosllavisë, të mbizotëruar nga Opozita Demokratike Reformiste e Serbisë. Zoti Bulatoviç tha se ka shumë mundësi që mosmarrëveshjet e mëdha të partisë së tij me disa nga partitë e grupit që përbëjnë Opozitën Demokratike, të pengojnë pjesmarrjen e partisë së tij në qeverinë e re federale.

Presidenti Koshtunica u takua të hënën me udhëheqësit e Opozitës Demokratike. Partia Popullore Socialiste e mbështeti Sllobodan Millosheviçin deri në momentin e rrëzimit të tij nga pushteti, tetorin e kaluar.

XS
SM
MD
LG