Lidhje

Haga kërkon ekstradimin e Karaxhiçit dhe Mladiçit - 2001-07-05


Gjykata e Hagës për krimet e luftës njoftoi se po i bën trysni Kryeministrit të Sërbëve të Bosnjes që të marë masa për arrestimin dhe dorëzimin e dy të dyshuarve kryesorë nga lufta e Bosnjes. Kryeministri i Serbëve të Bosnjes, Mladen Ivaniç do të takohet sot me krye-prokuroren e gjykatës së Hagës, Carla del Ponte. Një zëdhënës i zonjës del Ponte tha se prokurorja kërkon më shumë se sa fjalë lidhur me dorëzimin e udhëheqësit të sërbëve të Bosnjes gjatë luftës, Radovan Karaxhiç dhe këshilltarit të tij të lartë ushtarak, Ratko Mladiç.

Kryeministri Ivaniç tha dje se qeveria e tij do t’i dorëzojë dy të dyshuarit për krime lufte në gjykatën e Hagës sapo të sqarohen të gjitha pengesat ligjore. Kryeministri i sërbëve të Bosnjes i bëri këto komente sapo arriti në Holandë për bisedime mbi çështjen e bashkëpunimit me gjykatën e Hagës. Ai u tha gazetarëve se qeveria e tij do të jetë në gjendje t’i ekstradojë dy të akuzuarit e njohur sapo parlamenti i serbëve të Bosnjes të miratojë një projekt ligj mbi bashkëpunimin me gjykatën e Kombeve të Bashkuara.

Qeveria e serbëve të Bosnjes e miratoi të martën këtë projekt ligj. Ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjes Radovan Karaxhiç dhe ish komandanti i ushtrisë së tij, Ratko Mladiç janë paditur që në vitin 1995 nga gjykata ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit. Ata akuzohen për genocid, tortura, bombardime të vend-banimeve civile dhe shkatrimin e monumenteve historike gjatë luftës në Bosnje. Mendohet se të dyshuarit fshihen në republikën sërbe të Bosnjes ose gjetkë në territorin e ish Jugosllavisë.

XS
SM
MD
LG