Lidhje

Në Shqipëri mbyllet fushata elektorale e turit të dytë të zgjedhjeve - 2001-07-06


Edhe raundi i dytë i zgjedhjeve në Shqipëri nuk ka kaluar pa probleme e polemika. Opozita nga ana e saj ka denoncuar raste të përdorimit të dhunës ndaj komisionerëve të saj nga ana e policisë, ndërsa procesi i shqyrtimit të ankesave të kandidatëve të shumtë në Gjykatën Kushtetuese është kthyer në një tjetër çështje kundërshtimesh të fuqishme. Sot Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha që drejton edhe koalicionin opozitar Bashkimi për Fitore akuzoi këtë gjykatë për favorizim të kandidatëve socialist dhe deklaroi se nuk do të njohë vendimet e saj. Gjykata Kushtetuese prej disa ditësh po merr në shqyrtim kontestimin e rezultatit të raundit të parë të shpallur nga KQZ. Deri tani ajo ka lënë në fuqi shumicën e rezultateve ndërsa i ka dhënë fitoren dy kandidatëve socialist të cilët ishin shpallur në balotazh.

Sot të dy forcat kryesore politike do të mbyllin fushatën e tyre elektorale për të nisur të dielën garën e fundit për parlamentin e ardhshëm. Më 8 korrik do të zhvillohet balotazh në 44 zona ndërsa në 5 të tjera do të ketë përsëritje të votimit në disa qendra. Për herë të parë do të votohet në një zonë në Lushnje ku më 24 qershor procesi u anullua. Sipas rezultateve të raundit të parë partia socialiste ka fituar në 33 zona, ndërsa opozita 17.

Të gjitha partitë kanë zhvilluar një fushatë intensive për të siguruar një numër sa më të madh deputetësh dhe kanë bërë thirrje për një pjesmarrje të madhe. Sic dihet zgjedhjet e 24 qershorit shënuan nivelin më të ulët të pjesmarrjes së shqiptarëve ne votive, afër 55 përqind. Kështu që këtë të dielë pritet që kjo shifër të jetë akoma më e vogël. Nga ana e tij KQZ deklaroi sot se ka marrë të gjithë masat për organizimin e balotazhit. Zëdhënësi Aldrin Dalipi tha se ka përfunduar shpërndarja e bazës materiale në Komisionet e Zonave dhe më pas infrastruktura e plotë do të mbërrijë në afër 2400 qendrat e votimit.

Edhe zgjedhjet e kësaj të diele do të ndiqen sërish nga vëzhgues ndërkombëar dhe vendas. ODIHR dhe Këshilli i Europës do të kenë mbi 120 përfaqësues të tyre ndërsa afër 300 vëzhgues do të jenë nga dy organizata jo qeveritare vendase.

XS
SM
MD
LG