Lidhje

Ende mister zhdukja e Chandra Levy - 2001-07-10


Prindërit e 24 vjeçares Chandra Levy po kërkojnë që ligjvenësi Gary Condit ti nënshtrohet testit elektronik për të parë në se ai po thotë të vërtetën apo po gënjen lidhur me ato që di për vajzën e tyre e cila është zhdukur që nga 30 prilli. Ligjvenësi Condit, i cili fillimisht kishte mohuar se kishte marrëdhënie me praktikanten Levy, pas marrjes në pyetje për herë të tretë nga policia, e pranoi se kishte patur marrëdhënie me të.

Pas mohimit për dy muaj, ligjvenësi demokrat nga Kalifornia Gary Condit pranoi se ai ka patur marrëdhënie seksuale me 24 vjeçaren Chandra Levy, e cila është zhdukur që nga 30 prilli. Policia që po kryen hetime për gjetjen e saj, e morr për herë të tretë në pyetje ligjvenësin Condit.

Ekspertët thonë se është ende tepër herët të parashikohet ndikimi që do të ketë ky skandal për karrierën politike të ligjvenësit. Hollësitë e marrëdhënieve të ligjvenësit Condit me 24 vjeçaren Levy, e cila u zhduk këtu në Washington ndërsa po bënte praktikën mësimore, kanë ngjallur interes të madh në mjetet e shtypit. Disa kolegë të ligjvenësit Condit në Dhomën e Përfaqësuesve, thonë se ai duhet të ishte treguar më i sinqertë me policinë që në fillim.

Avokati i ligjvenësit Condit, Abbe Lowell thotë se klienti i tij po tregohet i hapur me policinë dhe kjo është ajo që ka rëndësi tani. Pranimi i marrëdhënieve nga zoti Condit nuk do të thotë se policia është më pranë gjetjes së praktikantes Levy. Dhe ligjvenësi është ende i rëndësishëm për hetimet e policisë.

Ish prokurori Joseph Digenova thotë se policia është treguar e kujdesshme të mos bëjë akuza të pabazuara. “Policia, thotë ai, po tregohet e kujdesshnme të mos akuzojë një figurë publike. Por është e qartë se ai nuk ka bashkëpunuar me policinë, se ai nuk u ka dhënë atyre disa informacione të rëndësishme dhe policia i sheh me dyshim veprimet e tij.” Burimet thonë se 53 vjeçari Condit, i tha policisë se ai vazhdonte të kishte marrëdhënie me zonjën Levy kur ajo u zhduk dhe po sipas burimeve, nuk ka të dhëna që ajo të ketë kaluar ndonjë krizë mendore, policia nuk sheh arësye që ajo të zhdukej vetë dhe zyrtarët thonë se nuk besojnë se ajo mund të ketë vrarë veten. Por pas 10 javë hetimesh, policia ende nuk e di në se Chandra Levy është gjallë apo e vdekur. Prindët e saj ndërkohë kanë kërkuar që ligjvenësi Condit t’i nënshtrohet testit elektronik për të parë në se ai thotë të vërtetën apo gënjen.

XS
SM
MD
LG