Lidhje

Nga bisedimet në Maqedoni - 2001-07-10


Ndërmjetësit ndërkombëtarë pohuan se bisedimet për paqe të zhvilluara dje në Maqedoni shkuan mirë. Por shqiptarët thonë se kërkojnë barazi të plotë me shumicën maqedonase.

Bisedimet kanë si qëllim të bindin të dyja palët që të pranojnë planin e paqes të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, plan i cili parashikon ndryshime në kushtetutën e vendit për t’u dhënë më shumë të drejta pakicave.

I dërguari amerikan James Pardew tha se ishte i kënaqur me bisedimet e djeshme midis udhëheqësve politikë maqedonas dhe shqiptarë. Ai tha se të dyja palët janë të angazhuara të punojnë në mënyrë produktive lidhur me propozimin për paqe.

Por njëri nga drejtuesit e Partisë Demokratike të shqiptarëve, Muharrem Nexhipi, tha se ky propozim është thjesht një pikënisje. Ai shtoi se partia e tij nuk do të heqë dorë nga kërkesat për barazi të plotë.

Thuhet se plani perëndimor parashikon ndryshime të tilla në kushtetutë që do të forconin qeverisjen lokale dhe do të njihnin gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare.

Bisedimet e djeshme u zhvilluan ndërkohë që pati njoftime për shkelje sporadike të armëpushimit i cili hyri në fuqi të premten. Zyrtarët maqedonas thonë se luftëtarët shqiptarë qëlluan me armë zjarri në afërsi të Tetovës. Ndërsa një komandant i UÇK-së tha se trupat qeveritare vranë një luftëtar shqiptar afër këtij qyteti.

XS
SM
MD
LG