Lidhje

Bush optimist për sistemin e mbrojtjes nga raketat - 2001-07-16


Shpresat e presidentit Bush për një sistem të mbrojtjes kundër raketave u shtuan së tepërmi dje kur Pentagoni kreu me sukses provën me pajisje të teknologjisë së lartë. Një interceptor i lëshuar në hapësirë goditi mjeshtërisht objektivin e tij, një raketë ndërkontinentale, me një mbushje të simuluar bërthamore.

Raketa balistike u lëshua nga baza ajrore amerikane në Kaliforni. Raketa interceptuese u lëshua nga Atoli Kwajalein në Paqësor. Kjo provë me një kosto prej 100 milionë dollarësh, ishte e dyta provë e sukseshme nga katër që janë bërë gjithsej. Pentagoni ka njoftuar tashmë planet për prova të tjera gjatë 18 muajve të ardhshëm. Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thonë se mbetet ende një rrugë e gjatë në përpjekjet për ndërtimin e një sistemi të saktë dhe të efektshëm mbrojtjeje nga raketat.

Administrata e presidentit Bush synon që me një sistem të tillë të mund të mbrojë vendin kundër sulmeve të mundshme me raketa nga të ashtuquajturit shtete të papërgjegjshëm, si Koreja e Veriut apo Iraku. Presidenti Bush thotë se natyra e rreziqeve që i kanosen sigurimit të Shteteve të Bashkuara ka ndryshuar që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë dhe se traktatet e vjetra nuk u përshtaten më kërkesave të kohës.

XS
SM
MD
LG