Lidhje

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi për referendumin - 2001-07-20


Pavarësia e Malit të Zi është e pashmangshme, tha ministri i jashtëm malazez, Branko Lukovac, në një konferencë të organizuar sot në mjediset e senatit amerikan nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Ministri Lukovac theksoi se rruga drejt begatisë dhe qëndrueshërisë për Malin e Zi është shkëputja nga Republika Federative e Jugosllavisë. Kjo zgjidhje, theksoi Ministri i Jashtëm malazez, do t’i shërbejë jo vetëm popullit malazez, por edhe mbarë rajonit:

“Republika Federative Jugosllave nuk është tjetër veçse Serbia. Mali i Zi, nuk është më pjesë e Federatës Jugosllave. Fraza e njohur për një Mal të Zi demokratik brenda një Federate Jugosllave demokratike është pa vend, pasi një gjë e tillë është krejtësisht e pamundur. Ka ardhur koha ta harrojmë këtë iluzion ” tha ministri.

Zoti Lukovac theksoi se referendumi mbi pavarësinë e Malit të Zi nuk është një çështje urgjente, pasi nevojitet më shumë kohë për të konsoliduar paqen dhe qëndrueshërinë si dhe për të siguruar mbështetjen e nevojshme ndërkombëtare për aspiratat e kësaj republike për shkëputje. Mali i Zi, vazhdoi ministri Lukovac, synon ta zhvillojë procesin drejt pavarësisë duke respektuar standartet më të larta ndërkombëtare, në një mënyrë evropiane dhe jo ballkanike, siç u shpreh ai, duke vënë në plan të parë rregullat demokratike të dialogut, pa kërcënime dhe dhunë, dhe duke respektuar standartet evropiane kur bëhet fjalë për mbrojtjen e pakicave.

Ndërkaq, analisti Janusz Bugajski i Qëndrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare e sheh pavarësinë e Malit të Zi si një faktor nxitës për përshpejtimin e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës: “Të gjithë e dinë se Kosova nuk do të jetë më kurrë pjesë e Serbisë apo Jugosllavisë. Ata që nuk e pranojnë këtë, gënjejnë veten. Përpjekjet për ta rikthyer Kosovën brenda strukturave shtetërore jugosllave do të bëheshin nxitje për një luftë tjetër shumë më të ashpër se ç’kemi parë deri tani. Herët a vonë duhet t’u njohim kosovarëve të drejtën e vet-vendosjes, t’i ndihmojmë të bëhen të zotët e vetes dhe të eliminojmë protektoratin që ekziston tani. Në një farë mënyrë vendimi i Malit të Zi për shkëputje nga Federata Jugosllave do të shërbente për ta nxjerrë çështjen e statusit të Kosovës në plan të parë. Kjo çështje duhet zgjidhur herët e vonë, dhe shpresoj që kjo të arrihet gjatë administratës së presidentit Bush” tha zoti Bugajski.

Të pranishmit në diskutim theksuan arritjet pozitive të Malit të Zi në drejtim të paqes dhe qëndrueshërisë në rajon, si dhe në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve ndër-etnike në këtë republikë.

XS
SM
MD
LG